
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha dhe dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi do të merren për herë të parë në pyetje në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. SPAK kishte kërkuar që marrja në pyetje e dyshes të bëhej sot ose nesër, por avokatët kërkuan shtyrjen, për shkak të axhendës së tyre. Kështu Berisha dhe Malltezi do të merren në pyetje javën e ardhshme. Pritet të caktohet dita dhe ora se kur do të merren në pyetje gjatë javës së ardhshme. Berisha dhe Malltezi kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme që i lë ata në masën e arrestit të shtëpisë. Nga ana tjetër, ish-kryeministri i ka kërkuar leje Gjykatës së Posaçme që të marrë pjesë në seancat në Kuvend. Gjyqtarja që do të shqyrtojë kërkesën e Berishës është Ilirjana Olldashi. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi.