
ESTONI - Autoritetet estoneze kanë arrestuar një akademik rus në Tartu, të dyshuar për spiunazh kundër Estonisë. Viacheslav Morozov punon si profesor i teorisë politike ndërkombëtare në Universitetin e Tartusë, që nga viti 2010. Shërbimi i Sigurisë së Brendshme estoneze (ISS) tha në një deklaratë për shtyp se ka nisur një hetim ndaj Morozov. ISS e arrestoi atë më 3 janar, por e ka bërë publike rastin vetëm tani.
“Interesi i inteligjencës ruse për atë që ndodh në Estoni mendojmë se është i madh”, tha drejtoresha e ISS Margo Polloson. “Ky rast i fundit pason disa dhjetëra të tjerë dhe ilustron dëshirën e agjencive ruse të inteligjencës për t’u infiltruar në sfera të ndryshme të jetës në Estoni, duke përfshirë akademinë”, tha ajo.
Morozov u vendos në paraburgim për dy muaj. Ai u transferua në një burg në Talin. Profesori mund të shmangë procedurën penale, tha prokurori publik Triinu Olev. Kristiina Tõnisson, drejtuese e Institutit Johan Skytte të Studimeve Politike në Universitetin e Tartusë, ku Morozov punonte deri vonë, u shkroi të diplomuarve se profesori rus u pushua nga puna, pasi u arrestua.
“Ne nuk kemi pasur arsye për të vënë në dyshim punën e mëparshme të Viacheslav Morozov, por pas detajeve të reja që kanë dalë, është e rëndësishme ta rishikojmë atë në mënyrë kritike”, shkroi ajo në një letër të cituar nga ERR, transmetuesi publik i Estonisë. Rektori i Universitetit të Tartu, Toomas Asser tha se ishte i shqetësuar që një person që tani dyshohet se ka cenuar sigurinë kombëtare, ka punuar për vite në një universitet.
Por një shkencëtar politik rus, i cili u largua nga vendi për mërgim të vetë-imponuar në Evropë, pasi Presidenti Vladimir Putin nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës, i tha POLITICO-s se arrestimi i Morozov ishte tronditës. "Ai ishte i majtë liberal dhe nuk e di sesi paska arritur deri në këtë pikë", tha profesori, i cili njeh Morozovin.
Moska nuk ka reaguar ende për arrestimin e Morozov. Kjo nuk është hera e parë që një akademik rus në mërgim përballet me akuza të ngjashme. Shkencëtarët rusë që jetojnë në Rusi, megjithatë, shpesh përfundojnë në burg të akuzuar për tradhti të lartë, veçanërisht pas bashkëpunimit me kolegë të huaj. Ka pasur më shumë se një duzinë raste të tilla në dekadën e fundit.
Morozov, 51 vjeç, është një shkencëtar politik që mban një doktoraturë në shkencat historike dhe është i njohur në qarqet shkencore dhe opozitare ruse. Interesat e tij kryesore kërkimore janë teoria, kritika e postkolonializmit, ideologjia dhe diskurset në Rusi dhe marrëdhëniet BE-Rusi. Ai shpesh shfaqej në mediat e pavarura ruse, duke komentuar luftën në Ukrainë./ZËRI/