
TIRANË- Gazmend Haxhia, një nga shtatë personat për të cilët Gjykjata e Posaçme caktoi një masë sigurie në lidhje me abuzimin me fondet e Bashkimit Europian, skemë në krye të së cilës qëndronte ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, është ‘zhdukur’. Sipas Weblajm, masa e sigurisë ndaj biznesmenit Haxhia nuk ështe ekzekutuar, pasi ai nuk është gjetur as në banesë dhe as në zyrën e tij. Autoritetet kanë zbuluar se Haxhia ka ikur jashtë shtetit disa ditë më parë, një udhëtim në dukje jo dhe aq rastësor, pasi ka përkuar me zhvillimin e operacionit për arrestimin e Beqajt dhe caktimin e masave të sigurisë. Ndaj tij, ishte caktuar masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Ai akuzohet se përmes bizneseve që zotëron, ka prerë fatura fiktive për llogari të Beqajt dhe Ermal Kurtulajt. Gazmend Haxhia është aksioner e administrator në disa biznese, përfshi Konçesionarin e Opel, të njohur si Noshi dhe me 25 % të aksioneve në Universitetin Polis.