
TIRANË- Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka do të jetë ndërtuesi i "VOID Tower" në Tiranë. Duka, është pronar me 100 % të aksioneve të firmës “AIBA”, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e dy kullave, pasi është shpallur fituese nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Në garë ishin vetëm dy kompani: 'AIBA Company sha' dhe Shoqëria “Progeen” shpk. Por ankandi, me diferencë të vogël u fitua nga AIBA me vlerë të ofruar 46,1%, përkundrejt 45% që ofronte “Progeen”.
Ndërtimi do të bëhet në ish-godinën historike të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ku sipas projektit do të bëhen dy kulla të larta dhe shteti do të marrë përqindje nga ky investim. Sipas dokumenteve, privati, në këtë rast firma e Dukës do të ndërtojë plot 87 mijë m2, me një kosto plot 110 milionë euro. Kompania ka për detyrë që të zbatojë projekt-idenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve “Andrea Kaputo & Focus Architecture & OpenFabric & James Beckett”.