
TIRANË- Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në qendër të Tiranës, ku një çakall është pikasur nga qytetarët që po pinin kafen në zonën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Gjitari, që nuk është aspak i zakontë për rrugët e një qyteti të zhurmshëm dhe larg zonave të pyllëzuara si Tirana, është vendosur përkohësisht në një kafaz nga punonjës të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacioneve.
Nuk dihet ende sesi kjo kafshë e egër përfundoi në qendër të Tiranës, ndërkohë që në video shihet dhe momenti i neutralizimit të tij.
Çakalli është kafshë gjitare grabitqare më e vogël se ujku, me qime të kuqërreme, që ushqehet zakonisht me ngordhësira dhe që nxjerr një angullimë të fortë./ZËRI