
TIRANË- Për një vit e gjysmë, Loina Prifti ka drejtuar kompaninë shtetërore të prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, të njohur ndryshe si Identitek. Sipas Lapsi.al, Prifti është shkarkuar nga detyra prej ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, pas nisjes së auditit në institucionin që ajo drejtonte. Të njëjtat burime raportojnë se Prifti i kishte caktuar vetes një pagë 15 mijë euro në muaj dhe dyshohet se bashkë me disa vartës të saj kanë abuzuar me menaxhimin e fondeve të kompanisë shtetërore. Pak javë më parë Ministria e Brendshme kishte dërguar një grup auditimi në “IdentiTek” dhe janë konstatuar një sërë shkeljesh në menaxhimin e fondeve dhe praktikave ligjore të ruajtjes së të dhënave sensitive. Për këtë të fundit madje janë njoftuar edhe institucione të tjera në vend dhe kanë nisur hetimet. Loina Prifti u emërua nga ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pas rikthimit nga Gjermania dhe nisi drejtimin e kompanisë shtetërore që pasoi koncensionin e “Aleat” për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit. Pas marrjes së postit, Lapsi.al shkruan se Prifti nisi sjelljen e të afërmve të saj në kompani, përmes konkurseve fiktive dhe emërimeve nepotike kryesisht. Një prej tyre, drejtoresha e IT, Sara Zalla është nusja e kushëririt të parë të Loina Priftit. Eda Harizaj, drejtoresha e Burimeve Njerëzore është gjithashtu një lidhje e afërt e saj. Vetë Harizaj ka punësuar në një pozicion të rëndësishëm në “IdentiTek” një kushëri të parë. Megjithatë raporti i plotë i grupit të auditimit të Ministrisë së Brendshme pritet të hedhë më shumë dritë mbi abuzimet e Loina Priftit dhe vartësve të saj në kompaninë “IdentiTek”. Sot, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi Freskida Halilajn, 32 vjeçe, e cila pasoi Priftin në drejtimin e IdentiTek.