DIMAL- Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak ka dalë kundër propozimit të Komisionit të Reformës Territoriale Administrative për shkrirjen e 15 bashkive, mes tyre edhe Bashkia Dimal.
Memaj ka argumentuar se Dimali ka potencial ekonomik dhe demografik për të vijuar të funksionojë si njësi vendore më vete. Sipas saj, mungesa e një analize të plotë mbi pasojat që do të sillte shkrirja e Bashkisë Dimal, e bëjnë të pavlefshëm propozimin e PS-së.
Në përfundim të deklaratës së saj, kryetarja e Bashkisë Dimal tha se qëndrimi kundër shkrirjes lidhet me mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
“Jemi sot përpara një fakti. Komisioni i Reformës Territoriale Administrative ka propozuar në Kuvendin e Shqipërisë në fund të korrikut 2026 shkrirjen e 15 bashkive të Shqipërisë, midis të cilave përfshihet dhe Bashkia Dimal. E befasuar nga ky fakt, kam mbajtur qëndrimin tim publik lidhur me këtë çështje. Dua të sqaroj se nuk harroj që nuk do të isha kurrë në këtë detyrë pa mbështetjen e plotë 3 herëve të kandidaturës sime nga Partia Socialiste dhe pa votëbesimin dhe mbështetjen e po kaq herëve të qytetarëve të komunitetit në çdo kandidim timin.
Dimali ka ekonomi. Evidencat vërtetojnë që Dimali ka ekonominë me nivel diversifikimi më të lartë në rajon, dhe në mos është, posedon të gjithë potencialin për ta shndërruar në polin ekonomik zhvillimor e prodhues në rang qarku. Burimi i potencialit ekonomik të zonës janë fermerët dhe bizneset tona të grumbullimit dhe agropërpunimit, të cilat ia kanë dalë me sukses të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare. Shpirti i sipërmarrjes të njerëzve tanë ka bërë të mundur që sot Dimali të jetë qendra e disa prej bizneseve më të rëndësishme në rang vendi, ndërkohë që strehon bizneset më të mëdha në rang qarku, të gjitha të zotëruara nga bijtë e bashkisë Dimal.
Raporti na rendit të 9-ët në rang vendi për prodhueshmërinë për punonjës, një tregues ky i indeksit të performancës ekonomike, dhe të renditur të 20-ët për pagën mesatare në rang vendi.
Raporti nuk përmend që ne gjenerojmë të ardhura gati 10% të eksporteve bujqësore të të gjithë Shqipërisë, gati 50 milionë euro eksporte në vit. Nëse kjo ekonomi e degjeneruar do të kthehej nëpërmjet taksave të ndara të njësisë sonë vendore, ajo do të ushtronte me përgjegjësi funksionin e ndarjes së granteve për fermerët.
Gjithashtu ekspertët thonë se renditemi të 26 në vend për indeksin e IPI-së, pra performancën ekonomike, që është treguesi që i jep tablonë se shtëpia jonë e përbashkët plotëson parakushtin për vetëfunksionim si në afatmesëm ashtu edhe në afatgjatë. Rezulton të renditemi të 1-ët në rang qarku për këtë tregues.
Demografia, Censusi i vitit 2023 tregoi se kemi një popullsi në rritje, ndër të paktat bashki në vend me këtë tregues. Ndërkohë që sipas raportit qarku ka një ulje të popullsisë me rreth 0.7% dhe vendi në ulje prej 15.2%. Evidencat tregojnë se jemi të 20-tët në rang vendi për numrin e popullsisë. Sipas indeksit të mbulimit urban të përcaktuar në raport, jemi të renditur të 31-tët në rang vendi, të 8-tët në rang qarku dhe raporti na nxjerr mjaftueshëm urban.
Mungesa e analizës apo studimit për avantazhet e propozimit, mungesa e projeksioneve të së ardhmes së njësisë së re të dalë nga propozimi, mbi efektet e mundshme në zhvillimin e hapësirës sonë administrative, efektet e shërbimeve ofruar qytetarit e bëjnë të pavlefshëm propozimin për të konsideruar. Përfundimisht për të gjitha arsyet që parashtrova shpreh qëndrimit tim kundër propozimit të komisionit të reformës territoriale. Ky qëndrim vjen si detyrim i mbrojtjes së interesave të qytetarëve të bashkisë Dimal, detyrim i cili rrjedh nga lidhja e veçantë me ta dhe në përmbushje të betimit të bërë mbi kushtetutë përpara marrjes së këtij mandati. Pra Dimali si njësi vendore që vetëfunksionin dhe ka një performancë të lartë ekonomike duhet të jetë njësi vendore më vete”, tha kryetarja e bashkisë Juliana Memaj.
Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet./ZËRI