TIRANË-Goditjet e fundit të SPAK kanë nxjerrë në pah se pastrimi i parave mbetet një nga aktivitetet kriminale më të përhapura në vend, kryesisht përmes sektorit të ndërtimit. Mes emrave më të përfolur është Ermal Peti, i njohur si "oligarku i call center-ave", i cili nga të ardhura minimale të deklaruara u kthye brenda pak muajsh në investitor në ndërtim. Në 2024-ën, kur deklaronte vetëm 5 mijë euro të ardhura në vit, Peti themeloi kompaninë e ndërtimit “Nikea Construction” me një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh të reja. Vetëm disa muaj pas themelimit të firmës, Ermal Peti arrin të marrë leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendim të Këshillit të Ministrave që të mund të ndërtojë një fshat turistik në zonën e Saukut me vila deri në 3 kate me pishina e mur rrethues. Në dokumentin e lëshuar nga KKT thuhet se leja e ndërtimit për fshatin turistik është dhënë pas verifikimit të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pas pagesës së taksës për ndikimin në infrastrukturë. Megjithatë në asnjë moment nuk janë marrë veprime për të verifikuar sesi është ndërtuar kapitali me të cilin u ndërtuan vilat luksoze.
/ZËRI