TIRANË-Pas helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, kanë dalë rezultatet e analizave laboratorike, të cilat tregojnë se mostrat e ushqimit dhe kampionet ambientale kanë rezultuar të pastra. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) kanë rezultuar negative për praninë e ngarkesës bakteriale në mostrat e ushqimit dhe kampionet e marra nga ambientet. Megjithatë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. Autoritetet janë në pritje të përfundimit të të gjitha verifikimeve nga institucionet përgjegjëse, përfshirë dokumentacionin e administruar nga AKU, për të përcaktuar nëse kompania 'Sori.al' që furnizonte ushqimin ka respektuar standardet dhe procedurat e kërkuara të sigurisë ushqimore. Rasti i helmimit është i përsëritur, ku herën e parë më 7 maj, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani 'SORI-AL’.
/ZËRI