Aktualitet

VENDIMI/ Rrëzoi kërkesën e PD për Avokatin e Popullit, Kushtetuesja: Shabani plotëson kriteret

Kushtetuesja arsyeton se tërheqja e firmave më 5 dhjetor ishte bërë pas përfundimit të afatit dhe, për rrjedhojë, nuk mund të prodhonte më pasoja juridike.

F.I
VENDIMI/ Rrëzoi kërkesën e PD për Avokatin e Popullit,
Endrit Shabani

TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin lidhur me rrëzimin e padisë së bërë nga deputetët e Partisë Demokratike për emërimin e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani.

Në kërkesën e firmosur nga 44 deputetë të PD, pretendohej se Endrit Shabani nuk përmbushte kriterin kushtetues për njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit, duke argumentuar se Komisioni i Ligjeve nuk kishte kryer një analizë të detajuar dhe se në dosje mungonin dokumente provuese specifike. 

Gjykata vlerësoi se dokumentacioni i paraqitur nga Shabani, së bashku me të dhënat e verifikueshme në burime publike, përbënte bazë të mjaftueshme për të provuar njohuritë dhe veprimtarinë e tij në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit.

Një tjetër çështje e shqyrtuar ishte tërheqja e mbështetjes nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët kishin kërkuar anulimin e nënshkrimeve të tyre për kandidaturën. Gjykata konstatoi se Shabani kishte siguruar 35 nënshkrime mbështetëse brenda afatit të përcaktuar, i cili përfundonte më 2 dhjetor 2025. Kushtetuesja arsyeton se tërheqja e firmave më 5 dhjetor ishte bërë pas përfundimit të afatit dhe, për rrjedhojë, nuk mund të prodhonte më pasoja juridike.

Gjykata rrëzoi gjithashtu pretendimin për papajtueshmëri për shkak të angazhimeve të mëparshme politike të Shabanit si kryetar i partisë “Nisma Thurje” dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Përplasja mes palëve nisi pasi PD tërhoqi firmat për kandidatët për Avokat të Popullit, përfshirë Endri Shabanin, duke deklaruar se ai nuk kishte më mbështetjen e saj. Pavarësisht kësaj, kandidatura e Shabanit u votua në seancë plenare nga mazhoranca. Shabani u zgjodh Avokat i Popullit nga Kuvendi në 11 dhjetor 2025, ndërsa më 18 dhjetor u betua mes tensioneve në seancë plenare.

MOS HUMB