Erion Veliaj ka reaguar lidhur me transferimin e tij në burgun e Fierit duke kundërshtuar vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për ta cilësuar si sekret shtetëror motivin e zhvendosjes. Kryebashkiaku i Tiranës pretendon se autoritetet kanë vonuar dhënien e këtij shpjegimi dhe se mosvënia në dispozicion e aktit e pengon atë të kundërshtojë vendimin përmes rrugëve ligjore.
Në reagimin e tij Veliaj thekson se kanë kaluar 31 orë deri në momentin kur autoritetet kanë bërë të ditur se vendimi klasifikohet si sekret. Ai kërkon që Drejtoria e Burgjeve të bëjë publik autorizimin që i lejon këtij institucioni të klasifikojë vendimin si sekret shtetëror.
Duke iu referuar rregullave për klasifikimin e informacionit Veliaj argumenton se një kompetencë e tillë duhet të mbështetet në autorizimin përkatës dhe kërkon që institucionet të sqarojnë bazën ligjore të veprimit.
Deklarata e plotë:
U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!
Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë.
Ateherë kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i vendimmarrjes te fshehja e saj pas sekretit shtetëror!
Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues.

./ZËRI