TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ku më herët u raportua se deputeti Bledi Çuçi i kërkoi llogari ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për dokumentacionin e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës në burgun e Fierit. Burim nga grupi parlamentar i PS në dijeni të këtij zhvillimi i thaNë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu se veç Çuçit edhe Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale i është bashkuar kërkesës ndaj Gogut.
Dy kryetarët socialist të këtyre dy komisioneve parlamentare kërkojnë të dinë nëse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për urdhrin e vlerësuar prej tyre ai sekret shtetëror, të lëvizjes të Erion Veliajt. Po ashtu kërkojnë tu vihet në dispozicion praktika dokumentare e këtij procesi.
Ky zhvillim i dy ligjvënësve socialist vjen pas një debati në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS ku Bledi Çuçi, kërkoi shpjegime nga Ministri Drejtësisë Toni Gogu për Erion Veliajn.
“Ku e ke letrën e transferimit? Duhej ta kishe marrë para se të hyje. Nëse nuk e ke, jep dorëheqjen!”, mësohet t’i ketë thënë Çuçi ministrit gjatë mbledhjes.
Ndërsa Toni Gogu i është përgjigjur se pret ti vijë informacioni.
Lidhur me transferimin e Veliajt në burgun e Fierit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave dhe është bërë në përputhje me ligjin, por nuk jepet një arsye konkrete për transferimin e Veliajt nga Durrësi në burgun e Fierit. Drejtoria e Burgjeve thekson se sa i përket urdhrit të transferimit është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.