TIRANË- Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në burgun e Fierit u bë pjesë e debatit në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ku përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ngritën shqetësime për rrethanat e zhvendosjes dhe kërkuan sqarime nga institucionet përgjegjëse.
Diskutimi u përqendrua te mungesa e informacionit zyrtar mbi arsyet e transferimit, kushtet e mbajtjes dhe respektimi i të drejtave të Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim. Këshilltarët kërkuan që Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Avokati i Popullit të bëjnë transparencë mbi procedurën e ndjekur.
Këshilltari Halit Valteri theksoi se statusi i një personi në paraburgim nuk mund të justifikojë kufizimin e të drejtave të tij, duke ngritur shqetësime edhe për gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.
“Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor”tha Valteri duke kërkuar vlerësimin e nevojave shëndetësore të Veliajt.
Nga ana tjetër këshilltarja demokrate Ilda Zhulali pretendoi se transferimi dhe izolimi i kryebashkiakut janë kryer pa dokumentacion zyrtar të bërë publik. Ajo e cilësoi çështjen si shqetësuese për mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe e lidhi atë me situatën politike në vend.
Edhe këshilltari i PD-se Dorian Teliti kërkoi llogaridhënie për mënyrën e transferimit duke theksuar se çështja nuk duhet parë vetëm në raport me individin, por edhe me respektimin e ligjit dhe përgjegjësinë institucionale.
“Nuk më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet” u shpreh Teliti duke kërkuar shpjegime për mënyrën se si u krye zhvendosja. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për problemet sociale në kryeqytet dhe protestat e të rinjve për strehimin.
Kërkesë për transparencë paraqiti edhe këshilltari Aldo Merkoçi, i cili kërkoi publikimin e aktit të transferimit dhe të arsyeve ligjore që çuan në marrjen e këtij vendimi. Ai propozoi që Këshilli Bashkiak t'u drejtohet zyrtarisht institucioneve përgjegjëse, si dhe të kërkojë verifikimin e pavarur të kushteve të mbajtjes së Veliajt.
“Pyetja ime nuk është pse Fieri, pyetja ime është ku është letra” deklaroi Merkoçi duke theksuar se kërkesa për transparencë nuk lidhet me përcaktimin e fajësisë apo pafajësisë së kryebashkiakut, por me ligjshmërinë e procedurës.
Nga kampi socialist, këshilltari Eridian Salianji mbështeti propozimin që institucionet të japin sqarime për shkaqet e transferimit dhe gjendjen e Veliajt. Ai sugjeroi që kërkesa të përcillet në emër të Këshillit Bashkiak të Tiranës në mënyrë që të përfshijë të gjithë institucionin dhe jo vetëm një grup këshilltarësh.
Pavarësisht përplasjeve politike gjatë diskutimeve, përfaqësues nga të dyja palët kërkuan informacion zyrtar mbi transferimin. Tashmë pritet që institucionet përgjegjëse të sqarojnë rrethanat e vendimit dhe të japin informacion mbi procedurat e ndjekura./ZËRI