
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka komentuar situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në daljen e tij për mediat, Balla u pyet për kërkesën e Veliaj, i cili kërkon të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të socialistëve. Lidhur me këtë, Balla u shpreh se kjo është një çështje që duhet t’i drejtohet sekretarit të përgjithshëm të partisë.
Ndonëse e konsideron mik, siç u shpreh vetë Balla, kreu i Grupi të PS-së theksoi se ai duhet të përballet vetë me drejtësinë. Sa i përket situatës së paraburgimit për kryebashkiakun, Balla e cilësoi si një situatë "nonsens', pasi sipas tij bie ndesh me parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe vendimet e Gjykatës Europiane.
"Kjo është një pyetje që i duhet bërë sekretarit të përgjithshëm. Unë mendoj, dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së...Sa i përket kohëzgjatjes së paraburgimit, jemi në këto kushte për shkak të një nonsensi të krijuar, në shkelje të parimeve bazë të të drejtave të njeriut. Për sa kohë që një çështje ka shkuar në gjykim, mbajtja në paraburgim është në shkelje të parimeve themelore dhe të vendimit të Gjykatës Europiane. Përballjen me drejtësinë çdo përfaqësues i PS-së e ka më vete. S’bëhemi mburojë. Çdo përfaqësues të mos përfshijë organet e PS-së. Këto vendime i marrin organet e drejtësisë.", u shpreh Balla.
Një ditë më parë, Veliaj i kërkoi SPAK dhe PS-së leje për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Socialiste që do të mbahet të shtunën, 14 nëntor. Përmes një shkrese zyrtare, kryebashkiaku iu drejtua SPAK-ut dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, që t'i sigurojnë pjesëmarrjen në Asamble. Në kërkesë, Veliaj kërkon se nëse nuk është e mundur pjesëmarrje fizike, t'i mundësohet ajo përmes një video-konference.
Kërkesa e Veliajt vjen mes një klime të tensionuar edhe brenda PS, pasi kryebashkiaku ka drejtuar publikisht akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Kjo 'luftë' nisi menjëherë pas raportimit të vizitës së ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, në ambientet e qelisë në Fier. Fillimisht u raportuan si pretendime kërkesat e Gogut me urdhër të kryeministrit, por më pas ishte vetë Veliaj i konfirmoi këto pretendime dhe akuzoi publikisht kreun e qeverisë.
Ndërkohë, në Asamblenë e PS që pritet të zhvillohet në një resort në Gjirin e Lalzit të shtunën, në orën 10:00. Në fokus pritet të jetë edhe organizimi i strukturave të partisë për procesin e ardhshëm zgjedhor, pasi mbledhja e Asamblesë zhvillohet në prag të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Mbledhja zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa javët e fundit vendi është përfshirë nga protesta të studentëve, të cilat janë shoqëruar me përplasje fizike, incidente dhe akte dhune./ZËRI