Aktualitet

Ulje e çmimeve të karburanteve, ja sa do të kushtojnë nafta dhe benzina pas vendimit të ri

Bordi ka përcaktuar gjithashtu kufijtë maksimalë të shitjes me shumicë, të cilët do të jenë 200 lekë për litër për naftën dhe 169 lekë për litër për benzinën.

M.K.

 

Ulje e çmimeve të karburanteve, ja sa do të kushtojnë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Bordi i Transparencës ka vendosur çmime të reja për shitjen e karburanteve në vend, me ulje si për naftën, ashtu edhe për benzinën. Sipas vendimit të publikuar më 29 tetor nafta do të tregtohet me jo më shumë se 212 lekë për litër, ndërsa benzina me 181 lekë për litër.

Sipas vendimit të ri çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën ulet me 1 lek për litër nga 213 në 212 lekë. Ndërkohë benzina pëson një ulje prej 9 lekësh për litër duke zbritur nga 190 në 181 lekë.

Bordi ka përcaktuar gjithashtu kufijtë maksimalë të shitjes me shumicë, të cilët do të jenë 200 lekë për litër për naftën dhe 169 lekë për litër për benzinën.

Çmimet e reja hynë në fuqi më 29 tetor në orën 15:00,dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur mund të rishikohen në varësi të ndryshimeve të çmimeve të shitjes.

Bordi u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë detyrimin për zbatimin e çmimeve të përcaktuara, duke paralajmëruar pezullimin e aktivitetit në rast të konstatimit të shkeljeve.

Njoftimi për shtyp:

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.

Kështu Bordi i Transparencës në datë  29 Tetor 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 212 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se  200  lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 29 ora  15.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg./ZËRI

MOS HUMB