SPANJË- Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar në Spanjë pranë zonës së Toledos ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur me njëri-tjetrin duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur. Pas ngjarjes kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka shprehur ngushëllimet për viktimat, ndërsa në vend është shpallur zi kombëtare për tri ditë.
Sipas BBC News autoritetet dhe ekipet e emergjencës janë angazhuar në operacionet e shpëtimit, ndërsa bilanci i viktimave dhe rrethanat e aksidentit mbeten në vlerësim. Informacionet paraprake flasin për 68 persona të vdekur, por numri përfundimtar i viktimave dhe i të plagosurve pritet të konfirmohet nga autoritetet spanjolle.
Përplasja ndodhi pak pas orës 09:00 pranë stacionit të Urda-s në provincën e Toledos. Sipas të dhënave paraprake në aksident u përfshinë një tren i kompanisë publike Renfe, i cili udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes dhe një tren i kompanisë private Iryo që lëvizte në drejtimin e kundërt.
Si pasojë e përplasjes të dy trenat dolën nga shinat, ndërsa disa vagonë përfunduan në një skarpate duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit. Autoritetet kanë vijuar punën për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve dhe për të përcaktuar përmasat e plota të tragjedisë.
Ndërkohë operatori hekurudhor Adif njoftoi pezullimin e qarkullimit në linjën e trenave të shpejtësisë së lartë që lidh Madridin me Andaluzinë. Masat u morën pas aksidentit, ndërsa autoritetet po punojnë për menaxhimin e situatës dhe nisjen e hetimeve për zbardhjen e shkaqeve.
Sipas informacioneve treni i Renfe- s ishte ndalur pak para përplasjes për shkak të një problemi me qarkullimin në linjë. Megjithatë deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për rrethanat që çuan në përplasjen e dy trenave dhe as për përgjegjësitë e mundshme.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka shprehur dhimbjen për ngjarjen dhe ka bërë të ditur se po mban kontakte të vazhdueshme me ministrin e Transportit Óscar Puente si dhe me autoritetet rajonale të Kastiljes- La Mançës për të ndjekur situatën dhe reagimin ndaj emergjencës.
Hetimet vijojnë dhe pritet të japin informacionet për shkaqet e aksidentit./ZËRI