TIRANË-Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama njoftoi se Parlamenti do të miratojë së shpejti ligjin për strhimin, i cili sipas tij do të ndihmojë jo vetmëm të varfërit por edhe të rinjtë. Rama solli në vëmendje kritikat ndaj ndërtimit të kullave, ku duke mos përmendur emra deklaroi se në sallë ka edhe nga 'ata që bëjnë lekë në pallate pa leje'.
Kreu i qeverisë premtoi se nuk do të lejojë që 'një çift i ri që përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më të vështirë që të ndërtojnë një çati mbi kokë'.
Edi Rama: Parlamenti do të kalojë edhe një ligj, atë të strehimit, një ligj falë të cilit ne do të kemi një transformim tërësor të qasjes ndaj strehimit. Nuk flasim vetëm për ata që janë të varfër, por edhe për ata që janë të rinj. Ne nuk mund ta pranojmë si një realitet të pandryshueshëm që një çift i ri që përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më të vështirë që të ndërtojnë një çati mbi kokë. Ne nuk mund ta pranojmë që kryeqyteti ynë bëhet gjithmonë e më i pasur, por ndërkohë një pjesë e të rinjve, që janë e ardhmja e kryeqytetit dhe atyre qyteteve dhe që kontribuajnë me punën e tyre, ta kenë gjithnjë e më të vështirë ta imagjinojnë veten të pavarur. Prandaj duhet PS në këtë mes. Këtu ka edhe ulëritës profesionistë që bëjnë lekë në pallate pa leje. Ne s’do ta bëjmë këtë duke anatemuar ndërtimin dhe kullat. Sepse njerëzit duhet ta mësojnë se çfarë ka në ato kulla për ta. Se çfarë vjen nga taksat e atyre kullave për fondin e strehimit.