Politikë

'SPAK ka 1000 orë filmime, të ikë kush del'/ Majko: Rrezikojmë Bashkinë e Tiranës! Rama: Skepticizmi yt më ka motivuar

Majko ka deklaruar se është bërë publike ekzistenca në duart e SPAK-ut e 1000 orë filmime, të cilat mund të jenë kompromentuese për persona të caktuar brenda partisë socialiste.

F.I
'SPAK ka 1000 orë filmime, të ikë kush del'/ Majko:
Pandeli Majko dhe Edi Rama

TIRANË- Kandidati për Bashkinë e Tiranës është bërë shkaku i një pëplasjeje mes kryeministrit Edi Rama dhe Pandeli Majkos gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste e mbajtur një ditë më parë (14 nëntor. Ish-kryeministri Majko gjatë fjalës së tij ka kërkuar një kandidaturë serioze për Bashkinë e Tiranës dhe pastrimin e PS-së nga ata persona me lidhje të papërshtatshme me botën e krimit të organizuar.

Majko ka deklaruar se është bërë publike ekzistenca në duart e SPAK-ut e 1000 orë filmime, të cilat mund të jenë kompromentuese për persona të caktuar brenda partisë socialiste. Një burim nga asambleja i tha gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se sipas ish-kryeministrit në kushtet që ndodhet PS rrezikon të humbë Bashkinë e Tiranës.

"Duhet të marrim në konsideratë edhe çfarë mund të bëjë SPAK deri në maj, kur janë zgjedhjet lokale. Kush nga anëtarët e familjes tonë kanë pasur kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe diskredituese duhet të largohet menjëherë për të mos i dhënë kosto Partisë Socialiste. E them këtë pasi është bërë publike ekzistenca në duart e SPAK-ut e 1000 orë filmime, të cilat mund të jenë kompromentuese për persona të caktuar brenda partisë tonë. Në kushtet që jemi rrezikojmë ta humbim Bashkinë e Tiranës. Duhet të gjejmë një kandidat me potencial dhe fitues,'-është shprehur Majko.

Deklaratat e Majkos morën një përgjigje edhe nga Edi Rama, i cili tha se ish-kryeministri e ka motivuar të bëjë zgjedhjen e duhur.

“Skepticizmi i përhershëm i Majkos më ka motivuar mua të bëj zgjedhjet e duhura dhe kështu do të ndodhë edhe këtë herë me Tiranën”,-ka deklaruar Rama.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë u njoftua largimi i Erion Veliajt nga pozicioni i drejtuesit politik të partisë në kryeqytet. Drejtimi politik dhe organizativ i partisë në Tiranë iu besua dy bashkëkryetarëve, Albana Koçiut dhe Ervin Demos, ndërsa drejtimin e Bashkisë së Tiranës do ta marrë Ogerta Manastirliu.

MOS HUMB