Politikë

Klosi sqaron fatin e Spiropalit dhe Ndrecës në PS: Jashtë forumeve, por jo të përjashtuar nga partia

Përmes një reagimi publik, Klosi thekson se të dy nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të PS- së, por nuk bëhet fjalë për përjashtimin e tyre nga partia.

M.K.
Klosi sqaron fatin e Spiropalit dhe Ndrecës në PS: Jashtë
blendi klosi

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka reaguar pas lajmeve për përjashtimin nga partia të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke sqaruar se deklarata e tij është keqinterpretuar.

Përmes një reagimi publik, Klosi thekson se të dy nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të PS- së, por nuk bëhet fjalë për përjashtimin e tyre nga partia. Sipas tij kjo nuk ka kuptim në një parti ku anëtarësimi mund të kryhet edhe përmes aplikimit online.

Klosi ka sqaruar gjithashtu arsyen pse propozimi për përjashtimin e tyre nuk u votua në Asamble duke thënë se tre anëtarë u shprehën kundër këtij qëndrimi dhe se diskutimi u zhvillua lirisht.

Në përfundim, ai i cilësoi raportimet e tjera si 'konsum mediash' dhe theksoi se Partia Socialiste do të vijojë rrugën e saj me frymën pozitive të Asamblesë.

Reagimi i Blendi Klosit:

Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia.

Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë. Ky është fakti ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë.

Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj asambleje./ZËRI

MOS HUMB