Zv/kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar ne një postim në rjetet sociale pas caktimit si bashkëkryetare e Partisë Socialiste në Tiranë duke falenderuar kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë.
Në një reagim pas Asamblesë Kombëtare të PS-së Koçiu ka bërë të ditur se angazhimi i saj do të vijojë në terren në çdo lagje dhe njësi të kryeqytetit, në bashkëpunim me Ervinin, Ogertën dhe strukturat e tjera socialiste.
Ajo e ka lidhur këtë angazhim me objektivat e Partisë Socialiste për zhvillimin e vendit dhe integrimin europian duke vënë theksin edhe te përmirësimi i shërbimeve dhe përmbushja e premtimeve ndaj qytetarëve.
“Tirana, kryeqyteti europian i të gjithë shqiptarëve, jep shembullin e zhvillimit, krijon mundësi të reja për çdo familje dhe nis fitoren e Partisë Socialiste drejt #SHQIPËRIA2030”, shkruan Koçiu në reagimin e saj.
Reagimi i Koçiut:
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste
Me skuadrën, energjinë dhe vizionin e duhur për të përmbushur misionin historik të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kontratën e besës me qytetarët për shërbime më cilësore dhe rezultate konkrete, duke bërë më shumë e më mirë çdo ditë.
Mirënjohje Kryetarit të Partisë Socialiste për besimin e dhënë për të qenë bashkëkryetare e PS Tiranë.
Bashkë me Ervinin, Ogertën dhe çdo socialist të Tiranës, do të vijojmë punën në çdo lagje e në çdo njësi, sepse pikërisht nga Tirana, kryeqyteti europian i të gjithë shqiptarëve, jepet shembulli i zhvillimit, krijohen mundësitë e reja për çdo familje dhe nis fitorja e Partisë Socialiste drejt #SHQIPËRIA2030./ZËRI