TIRANË-Ka përfunduar mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, pa një vendimmarrje për përjashtimin e deputetes Elisa Spiropalit nga partia. Në përfundim të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje për vendimet e marra në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Klosi njoftoi se drejtimi politik dhe organizativ i partisë në kryeqytet do t’u besohet dy bashkëkryetarëve, Albana Koçiu dhe Ervin Demo, ndërsa drejtimin e Bashkisë së Tiranës do ta marrë Ogerta Manastirliu. Ai theksoi se organizimi partiak do të mbetet i pandryshuar në strukturë, pavarësisht ndryshimeve në drejtimin e bashkive.
“Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë si në të gjithë bashkitë e vendit. Drejtimi i partisë së bashkisë së Tiranës do jetë nga Demo dhe Koçiu. Drejtimi politik do të vazhdojë nga Ogerta Manastirliu”, tha Klosi.
Sa i përket kërkesës së kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit, Kolsi tha se “Elisa vazhdon të jetë anëtare e PS”.
Klosi: Prandaj janë diskutime të brendshme. Vendimmarrja ishte për miratimin e platformës ‘Këshilltari i bashkisë sime’, miratimin e procesit për të vazhduar fushatën elektorale në çdo cep të territorit.
Gazetarët: Do ta shqyrtoni në një moment të dytë? A është anëtare e PS, Elisa Spiropali?
Klosi: Po është anëtare e PS.