Pas besimit të marrë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të drejtuar së bashku degën e PS-së në Tiranë me Albana Koçiun, Demo ka reaguar përmes një postimi, ku ka falenderuar kryeministrin Edi Rama dhe anëtarët e Asamblesë.
Në reagimin e tij, Demo ka theksuar se puna e përbashkët do të përqendrohet te forcimi i strukturave të partisë në çdo lagje, njësi administrative dhe fshat të kryeqytetit. Ai ka renditur si prioritete komunikimin me qytetarët, ndjekjen e problematikave të tyre dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Demo ka nënvizuar gjithashtu se përgjegjësia e tyre është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve politike, duke theksuar rëndësinë e dëgjimit të kritikave dhe adresimit të shqetësimeve të komunitetit.
Reagimi i Demos:
Faleminderit kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për besimin që na dhanë sot mua dhe Albana Koçiut për të drejtuar së bashku Partinë Socialiste në Bashkinë e Tiranës.
Mirënjohje për çdo socialist e socialiste për punën dhe përkushtimin e tyre ndër vite.
Së bashku me Albanën, me skuadrën e deputetëve të Bashkisë së Tiranës dhe me të gjitha strukturat tona, do të angazhohemi për organizimin dhe forcimin e Partisë Socialiste në çdo lagje, njësi administrative e fshat të Tiranës.
Një organizim që mbështetet te puna në ekip, përgjegjësia individuale, komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët dhe ndjekja konkrete e problemeve të tyre.
Qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të kërkojnë më shumë prej nesh: shërbime publike më të mira, shkolla të sigurta për fëmijët, institucione që përgjigjen dhe zgjidhje për shqetësimet e përditshme.
Për mua, këtu matet edhe puna politike: sa pranë njerëzve jemi, sa i njohim problemet e tyre dhe sa këmbëngulim për t’i zgjidhur.
Duhet të dëgjojmë edhe kur kritika është e fortë, të pranojmë atë që nuk funksionon dhe të punojmë për ta përmirësuar.
Së bashku me deputetët, drejtuesit e strukturave dhe çdo anëtar të Partisë Socialiste, do të ndërtojmë një mënyrë pune ku secili ka përgjegjësi të qarta, ku prania në terren është e përditshme dhe ku çdo shqetësim i qytetarëve ndiqet deri në zgjidhje.
Përgjegjësia jonë është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Besimin që morëm sot do ta kthejmë në organizim, punë konkrete dhe rezultate për Tiranën!./ZËRI