SERBI-Prokuroria e Përgjithshëm në Serbi ka siguruar dorëzimin nga Prokuroria e Francës të të gjithë bisedave të enkriptuara të grupeve kriminale të regjistruara në platformën Sky ECC. Lajmi u bë publik nga gazeta serbe “Danas”.
Takimi mes prokurorëve të Zyrës së Prokurorit të Lartë të Serbisë dhe kryeprokurorit francez për krimin e organizuar u mbajt në Paris në qershor të këtij viti. Marrëveshja siguron transferimin e të dhënave drejt autoriteteve serbe dhe u ra dakord që të gjitha provat që lidhen me Republikën e Serbisë do të siguroheshin dhe asnjëra prej tyre nuk do të fshihej.
Ky veprim i Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë u bë për shkak se dyshohet se Ministria e Brendshme e Serbisë ka mbajtur të fshehtë pjesë të komunikimit të Sky në të cilat përmendej udhëheqja shtetërore serbe dhe kështu ato me defekte ia ka dorëzuar Prokurorisë për Krim të Organizuar.
Sky ECC u lejonte përdoruesve të shkëmbenin mesazhe të koduara nëpërmjet telefonave të konfiguruar posaçërisht. Gjatë vitit 2021, shërbimet policore evropiane, veçanërisht ato franceze, belge dhe holandeze, kryen një operacion të madh ndërkombëtar kundër rrjetit Sky ECC dhe sekuestruan serverat me të gjitha komunikimet që kalonin nëpër to.
Në komunikimet e publikuara më herët nga mediat serbe shfaqen pseudonimet “Edo”, “Markus” dhe “Oskar”, të cilat janë lidhur në raportime me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Këto pretendime nuk përbëjnë, në vetvete, dëshmi për përfshirjen e tij në veprimtari kriminale. Një nga personat që i ka përmendur këto pseudonime në bisedat e publikuara është Darko Šarić, i akuzuar për trafikimin e 5.6 tonëve kokainë.