
Shqipëria po shqyrton mundësinë e zhvillimit të samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, mes alternativave të tjera si shtyrja e tij apo organizimi në format virtual. Ndërkohë që data e takimit mbetet ende e papërcaktuar Tirana zyrtare ka kërkuar mbështetjen e Aleancës për një tjetër çështje të sigurisë, përballjen me fushatat e dezinformimit dhe kërcënimet hibride.
Ministri i MbrojtjesErmal Nufi në një intervistë për median ndërkombëtare POLITICO, ka kërkuar dërgimin e ekipeve të specializuara të NATO-s në Shqipëri, për të ndihmuar institucionet në identifikimin dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve të dyshuara në hapësirën online. Kërkesa është bërë së bashku me homologun malazez, Dragan Krapović.
Nufi ka argumentuar se gjatë vitit të fundit janë shtuar fushatat në rrjetet sociale që nxisin urrejtje dhe përçarje në shoqëri, duke theksuar nevojën për një rol më aktiv të NATO-s në përballimin e këtyre kërcënimeve.
Sa i përket samitit, më 3 nëntor Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Tirana ishte rikonfirmuar si qyteti pritës, pas takimit të kryeministrit Edi Rama me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës Mark Rutte. Megjithatë, data e zhvillimit nuk është përcaktuar ende, ndërsa më herët ishin diskutuar edhe alternativa të tjera për organizimin e tij.
Në artikullin e POLITICO-s trajtohen edhe pretendimet për ndërhyrjen ruse në protestat në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Rusinë dhe Iranin për nxitjen e tyre, por studiuesja Blerjana Bino, bashkëthemeluese e qendrës SCiDEV, ka deklaruar se nuk ka prova që mbështesin pretendimin se Rusia qëndron pas lëvizjes protestuese.
Ndërkohë, NATO ka dërguar më herët ekipe të reagimit ndaj kërcënimeve hibride në Mal të Zi dhe Lituani. Në Shqipëri, një ekip i Aleancës mbërriti në vitin 2022, pas sulmeve kibernetike iraniane ndaj sistemeve qeveritare. Një tjetër angazhim i tillë kërkon konsensusin e vendeve anëtare./ZËRI