Politikë

Kreu i KQZ: 2.5 mld lekë për zgjedhjet e 9 majit 2027, PD-PS nuk bien dakort për votimin elektronik

Celibashi deklaroi se KQZ ka kapacitete për ta realizuar këtë proces në maksimumi rreth 450 qendra votimi, por zgjerimi i tij mbetet i kushtëzuar nga konsensusi politik.

F.I.
Kreu i KQZ: 2.5 mld lekë për zgjedhjet e 9 majit 2027, PD-PS nuk bien
Ilirjan Celibashi

TIRANË-Zgjedhjet e 9 majit 2027 pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 2,5 miliardë lekë. Shifra u zbulua nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i cili deklaroi se fondi i vënë në dispozicion mbulon nevojat e parashikuara për organizimin e procesit zgjedhor.

Projektbuxheti parashikon 454.25 milionë lekë për funksionimin e vetë KQZ-së, ndërsa fondi prej 2.5 miliardë lekësh është parashikuar si kontingjencë e veçantë për zgjedhjet dhe nuk është pjesë e buxhetit institucional.

“Viti 2027 është vit zgjedhor. Një pjesë e elementeve buxhetore që duhet të adresoheshin janë përfshirë në buxhetin për zgjedhjet. Rëndësia e procesit është kuptuar drejt nga Ministria e Financave dhe kemi gjetur mirëkuptimin për kërkesat tona. Vlera në dispozicion, 2,5 miliardë lekë, është brenda limitit që ne kemi menduar se do të arrijë financimi për zgjedhjet. ”, tha Celibashi.

Ndërkohë sa i përket votimit dhe numërimi elektronik, Celibashi deklaroi se KQZ ka kapacitete për ta realizuar këtë proces në maksimumi rreth 450 qendra votimi, por zgjerimi i tij mbetet i kushtëzuar nga konsensusi politik. Celibashi deklaroi se Partia Demokratike nuk është dakord me shtrirjen e mëtejshme të votimit elektronik, ndërsa KQZ nuk ka detyrim ligjor për ta zgjeruar atë. 

"Ne aktualisht mund të realizojmë votimin dhe numërimin elektronik në rreth 450 qendra votimi, maksimumi. Pastaj se në cilat bashki, mbetet për t’u parë. Do të donim që kjo mënyrë votimi të zgjerohej më shumë. Kemi bërë një konsultim me përfaqësues të partive politike me përfaqësi parlamentare. PD-ja, si partia kryesore e opozitës, nuk ka qenë dakord dhe nuk është sot e kësaj dite dakord që të shtrihet më shumë numërimi elektronik. E për sa kohë KQZ-ja nuk ka një detyrim ligjor për ta aplikuar këtë shtrirje, ne e mbajmë në konsideratë këtë rezervë të partisë kryesore të opozitës parlamentare. Kjo është një çështje që i takon mazhorancës dhe opozitës që të arrijnë një konsensus,"- deklaroi Celibashi. 

MOS HUMB