
TIRANË- Projektbuxheti i vitit 2027 është miratuar në parim në Komisionin e Ekonomisë. Pas një diskutimi që zgjati rreth 9 minuta, ai mori 8 vota pro dhe 4 kundër. Tashmë, projektligji do të kalojë tashmë për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit.
Por, mbledhja nuk kaloi pa debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Shkak u bë zhvillimi i dëgjesës me Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa deputetët Erion Braçe dhe Bujar Leskaj shkëmbyen replika.
Deputeti socialist Erion Braçe argumentoi se Ministria e Infrastrukturës e kishte zhvilluar dëgjesën në komisionin përgjegjës. Nga ana tjetër, deputeti demokrat Bujar Leskaj kundërshtoi këtë qëndrim, duke kërkuar që ministria të dëgjohej në Komisionin e Ekonomisë, njësoj si ministritë e tjera.
Debati:
Erion Braçe: Ministria e Infrastrukturës ka bërë dëgjesë në komisionin e saj përgjegjës, është i lidhur me votimin në parim.
Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit të Ekonomisë: Jep llogari te burimet natyrore, ne kemi dëgjesa edhe në vijim për buxhetin, nen për nen.
Bujar Leskaj: Ne kemi diskutuar për çdo ministri, duhet dhe për Ministrinë e Infrastrukturës. Dje përcaktuam që do të zhvillojmë seancën me Ministrinë e Energjisë, pastaj do ta kalojmë. Nuk është punë kartoni.
Milva Ekonomi: Është punë procedure.
Erion Braçe: Dhe ti punë kartoni e ke, Leskaj.
Bujar Leskaj: Kështu e keni bërë dhe Kuvendin dhe keni kritika nga ndërkombëtarët. Pse ta prishni këtë harmoni?
Milva Ekonomi: Pse nuk dëshironit atë ditë kur e caktuam, ju menduat se nuk ishte momenti. Atëherë kalojmë në votim. Kush është dakord ta kalojmë në miratim?