Politikë

Samiti BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, Rama: Moment vendimtar për rajonin

Rama gjatë fjalës së tij deklaroi se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë që tani nga integrimi gradual në tregun e përbashkët europian.

F.I
Samiti BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, Rama: Moment
Edi Rama

TIRANË-Po mbahet në Pallatin e Brigadave Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, nën moton “Reforma, Rritje, Integrim-Drejt Europës së bashku”. Kryeministri Edi Rama ka nisur punimet e samitit, ku gjatë fjalës së tij deklaroi se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë që tani nga integrimi gradual në tregun e përbashkët europian.

Edi Rama: Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën. Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione: reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal.

Na duhet të themi se vitet e fundit konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është rritur. Megjithatë, ka ende shumë rrugë për të bërë. Ne të gjithë kemi mbrojtur idenë se qytetarët tanë s’duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së.

Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi.

MOS HUMB