TIRANË-Seanca maratonë e Kuvendit u mbyll pas mesnate me miratimin e buxhetit të vitit 2027 me vlerë 10 mld euro dhe paketës fiskale. Kjo e fundit sjell ndryshime të rëndësishme në tatimin e bizneseve, ushqimeve, sektorin e turizmit dhe taksimin e automjeteve.
Kuvendi miratoi me 77 vota amendamentin e deputetes socialiste Brisejda Çakërri, për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin të gjitha investimet me status special në hotelet më 4 dhe 5 yje. Hotelet me status special që zotërojnë marka ndërkombëtar do të përjashtohen nga tatim-fitimi deri në dhjetor 2029, ndërsa afati përfundonte në dhjetor të këtij viti.
Teksa kalonin votimet, u rrëzua propozimi i Komisionit të Ekonomisë për ujin e ambalazhuar me TVSH 6%, ndryshim i cili ishte propozuar nga Komisioni i Ekonomisë.
Një nga ndryshimet kryesore në Paktetën Fiskale 2027, është ulja e TVSH-së për produktet ushqimore, ku nga 20% të ulet 6%. Po ashtu parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Gjithashtu, nga 1 janari qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja.
Ndërkohë tatimi mbi fitimin, për bizneset dhe kompanitë propozohet të rritet nga 15% në 17%. Paralelisht pas 8 vitesh në fuqi qeveria ka vendosur të rrisë dividentin, nga 8% në 15%. Paketa e re fiskale parashikohen edhe në tatimin mbi të ardhurat nga pagat. Pragu për aplikimin e normës 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, parashikohet një normë e re tatimi prej 32%.
Taksa e qarkullimit 32.4 lekë me TVSH, nuk do të paguhet më në çdo litër naftë apo benzinë, por do të shlyhet një herë në vit tek taksat vjetore të mjetit që do të dyfishohen.
Njëkohësisht nga 1 janari 2027, një paketë cigare do të kushtojë 8.5 lekë më shumë. Qeveria ka parashikuar gjithashtu një taksim të ri për të gjithë ata që kanë në pronësi më shumë se një apartament, të cilin nuk e lëshojnë në treg me qira.