TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në orët e para të mëngjesit të 27 nëntorit Buxhetin e vitit 2027 me një vlerë 10 miliard euro. Buxheti mori 80 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim. Në votim rezultojnë edhe 33 deputetë të pranishëm që nuk kanë votuar.
Pensionet mbeten një nga shtyllat kryesore të buxhetit 2027, me 24 miliardë lekë shtesë për dyfishimin e bonusit mujor dhe indeksimin e tyre. Përkatësisht 20 miliardë lekë për dyfishimin e bonusit mujor nga janari 2027 dhe 4 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, që nis më 1 prill 2027.
Kuvendi miratoi edhe pesë ligjet që përbëjnë paketën fiskale, që ulin nga 20% në 6% TVSH-në për 54 produkte ushqimore. Nga lista me TVSH të reduktuar u hoq uji i ambalazhuar, i cili ishte përfshirë më herët nga Komisioni i Ekonomisë.
Paketa fiskale
Në nismën e re veçohet propozimi lidhur me uljen e TVSH-së për produktet ushqimore, ku nga 20% të ulet 6%. Po ashtu parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Gjithashtu, nga 1 janari qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja.
Ndërkohë tatimi mbi fitimin, për bizneset dhe kompanitë propozohet të rritet nga 15% në 17%. Paralelisht pas 8 vitesh në fuqi qeveria ka vendosur të rrisë dividentin, nga 8% në 15%. Paketa e re fiskale parashikohen edhe në tatimin mbi të ardhurat nga pagat. Pragu për aplikimin e normës 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, parashikohet një normë e re tatimi prej 32%.
Taksa e qarkullimit 32.4 lekë me TVSH, nuk do të paguhet më në çdo litër naftë apo benzinë, por do të shlyhet një herë në vit tek taksat vjetore të mjetit që do të dyfishohen.
Ndërkohë me votat e PS-së, Kuvendi shtyu me tre vjet, nga dhjetori 2026 deri në dhjetor 2029, afatin brenda të cilit hotelet dhe resortet me 4 ose 5 yje dhe me markë ndërkombëtare mund të marrin statusin special për të përfituar përjashtimin 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin. Amendamenti u propozua nga deputetja socialiste Brisejda Çakërri.
