TIRANË- Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me përplasje mes kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe ministrit Blendi Gonxhe ku në qendër të debatit u rikthye një episod i fëmijërisë së këtij të fundit, që lidhet me vizatimin e makinës së ish-diktatorit Enver Hoxha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ironizoi ministrin për mënyrën se si kishte hyrë në Liceun Artistik duke pretenduar se pranimi i tij në këtë shkollë ishte bërë pas një episodi në Gjirokastër ku Gonxhe në moshë të vogël kishte vizatuar makinën e Enver Hoxhës.
“Ti meriton çdo epitet, por s’dua të prish gojën këtu para qytetarëve (drejtuar ministres Kumbaro). Mos fol pas shpine, po flas me vetëpërmbajtje se kam dhe shumë të tjera. Je një shkatërrimtar i arsimit në Shqipëri. Edhe ky me kulturën. Edhe ky, si u bë piktor ky. Mesazhi: “Doktor si shkoi Gonxhe në lice për pikturë, se piktor nuk u bë asnjëherë. Në vitin e largët 1976, Enver Hoxha shkoi në Gjirokastër dhe do të takohej me popullin. Agim Gonxhe do të ishte në rreshtin e parë dhe i thotë djalit të tij Blendi të vizitonte Mercedesin e Enver Hoxhës dhe vuri targën. Të nesërmen babai e shtyn Blendin i thotë t’ia tregojë vizatimin Enver Hoxhës, që pyet kujt i ishte ky fëmijë, ‘i imi’ tha Agimi. Më pas shkoi në lice dhe e refuzuan, por hyri nëpërmjet gazetave që shkruanin se ka vizatuar makinën e xhaxhit Enver” tha kryedemokrati Berisha.
Në përgjigjen e tij, Gonxhe pranoi se kishte vizatuar makinën e Enver Hoxhës kur ishte fëmijë, por mohoi që ky episod apo njohjet familjare t'i kishin shërbyer për t'u pranuar në Liceun Artistik. Ministri tha se vizatimi ishte pjesë e pasionit të tij që në moshë të vogël dhe këmbënguli se në shkollë kishte hyrë me meritë.
“Pa i përmendur emrin do të doja vetëm për kuriozitetin e sallës. Ngjarja ka të bëjë vetëm me një fëmijë 8 vjeç në Palorto të Gjirokastrës, ku unë banoja. Kam vizatuar që 3 vjeç, është një nga talentet e mia. Nuk mund të hyja me mik në lice, se vizatoja bukur dhe ishte një nga talentet e mia edhe vizatimi i makinave. Pasi kisha pasion të vizatoja makinat, Benzi ka qenë fiksim i një fëmije që vizatonte. Po, ka qenë e vërtetë, nuk kam asgjë për të fshehur, por tregoj historinë e një 8-vjeçari. Edhe një portret i Qemal Stafës ka dalë në revistën Pioneri, sepse unë ja kam dhuruar si një fëmijë 8 vjeç Enver Hoxhës. Në 1978 një fëmijë 8 vjeç nuk e dinte se ai që do të takonte ishte diktatori. Dhe kush na tregon këtu, një sekretar partie i rëndomtë, një plak matuf dhe një zhele prej 37 vitesh që nuk i shporret këtij vendi nga sytë. Të vjen ndot, por ta dinë qytetarët se Blendi Gonxhe ka hyrë me meritë në çdo shkollë dhe nuk i ka hyrë në hak askujt” u shpreh Blendi Gonxhe./ZËRI