TIRANË-Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka folur për dënimin e dhënë nga GJKKO ndaj nënës së saj,Fatime Kryemadhi, e cila u dënua me 5 vite shërbim prove për shkak të moshës. E ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, Kryemadhi u shpreh se nuk e ka problem nëse e dënojnë me burg. Ajo ka deklaruar se i kanë marrë shtëpinë, e kanë larguar nga politika dhe i kanë shkatërruar familjen përmes dezinformimit.
Monika Kryemadhi: Po më plasi trapi po më dënuan. Shtëpinë ma kanë marrë. Mua ma kanë marrë shtëpinë. Ia kthyen shtëpinë vetëm mamit tim. Nga politika më kanë hequr. Në punë nuk më merr njeri. Familjen ma kanë shkatërruar me dezinformime. Çfarë do të më bëjnë mua më shumë? Do më çojnë te burgu i Pogradecit, po punë e madhe, bukën e kam falas, çdo gjë falas, ajër i pastër është.
Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI
