TIRANË- Ministria e Drejtësisë do të zhvillojë javën e ardhshme konsultimin e fundit për projektligjin e Kodit të ri të Procedurës Penale, këtë herë me përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile. Pas këtij takimi, pritet të shqyrtohen vërejtjet dhe propozimet e mbledhura, përpara se drafti të përcillet për miratim në qeveri dhe më pas në Kuvend.
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu bëri të ditur se dokumenti është ende në proces diskutimi, pavarësisht se afati zyrtar i konsultimit publik përfundoi më 28 tetor. Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë marrë mendime nga aktorë të sistemit të drejtësisë, përfaqësues të institucioneve, ekspertë dhe qytetarë.
“Në 30 shtator e nxorëm projektligjin për konsultim publik. Në 28 tetor e mbyllëm afatin zyrtar, por konsultimi vazhdon dhe puna nuk ka mbaruar ende”, deklaroi Gogu.
Projektligji është hartuar edhe me kontributin e ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe i është përcjellë Komisionit Evropian. Megjithatë, drafti nuk ka kaluar pa kundërshtime. Ministri pranoi se gjatë diskutimeve janë ngritur kritika, të cilat po trajtohen përpara përgatitjes së variantit përfundimtar.
“Dhe pikërisht për këtë shërben konsultimi, jo për të thënë se i kemi dëgjuar të gjithë”, u shpreh ai.
Në vijim, Ministria e Drejtësisë do të përqendrohet te përmbyllja e konsultimeve, vlerësimi i propozimeve dhe publikimi i një raporti ku do të pasqyrohet trajtimi i tyre. Vetëm pas kësaj, projektligji do të ndjekë rrugën institucionale për miratim.
Gogu theksoi se procesi duhet të garantojë transparencë për çdo sugjerim të paraqitur, ndërsa vendimi për përmbajtjen përfundimtare të nismës do t'u takojë institucioneve që kanë kompetencën për ta miratuar.
“Çdo propozim që do të shqyrtohet do të ketë një kontribut që do të marrë përgjigje dhe raporti do të bëhet publik”, deklaroi ministri.
Një nga çështjet kryesore që duhet të adresojë Kodi i ri është raporti mes të drejtave të qytetarëve dhe kompetencave të organeve ligjzbatuese. Sipas Gogut, ndryshimet duhet të sigurojnë njëkohësisht mbrojtjen e individit dhe instrumentet e nevojshme për hetimin e veprave penale.
“Një Kod i Procedurës Penale duhet të bëjë dy punë njëkohësisht, nga njëra anë të mbrojë të drejtat e qytetarit dhe nga ana tjetër t’u japë institucioneve mjetet ligjore për të hetuar krimin. Asnjëra më e fortë se tjetra” përfundoi ministri./ZËRI