
TIRANË-Sot në Tiranë do të mbahet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, nën moton “Reforma, Rritje, Integrim-Drejt Europës së bashku”. Samiti do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave.
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Facebook ka njoftuar se do të mblidhen në një tryezë liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku e pranishme do të jetë edhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Edi Rama: Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i ‘’Growth Plan’’, me temë “Reforma, Rritje, Integrim - Drejt Europës së bashku”, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë.
Programi i samitit parashikon nisjen e aktiviteteve në orën 10:00, me mbërritjen e liderëve pjesëmarrës, ndërsa në orën 12:30 do të mbahet konferenca e përbashkët për media e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane Marta Kos.