DUBLIN- Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Serbi duke u ndalur te eksperimenti politik me Listën Studentore dhe mundësia që ky proces të sjellë ndryshime në drejtimin e vendit.
Rama u shpreh se është ende herët për të krijuar pritshmëri pozitive lidhur me këtë zhvillim. Sipas tij, deri më tani nuk ka sinjale për një ndryshim të qëndrimit të Beogradit ndaj Kosovës dhe as për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Kryeministri theksoi se mungesa e një qasjeje të hapur ndaj Kosovës tregon se Serbia ende nuk është shkëputur nga e kaluara e saj politike.
“Serbia po kalon në një eksperiment social dhe politik me listën studentore dhe me metodën e përzgjedhjes dhe zgjedhjes së personave që do të jenë në parlament dhe qeveri.
Për sa na takon ne shqiptarëve, duket se nuk ka ndonjë hapje përsa i takon marrëdhënieve me Kosovën, apo sanksioneve kundër Rusisë.
Është interesante, por shumë herët të tregohemi entuziastë për këtë ndryshim. Për sa kohë nuk ka një qasje të hapur ndaj Kosovës, do të thotë që fantazma e së shkuarës do ta përndjekë dhe pengojë Beogradin për të kryer një katarsis” tha Rama./ZËRI