Politikë

Rama nga Dublini për protestën e flamingove: Urrejtje ndaj Trump, bulevardi i Tiranës u kthye në fushëbetejë! 'Si Çezari kundër Pompeut'

Gjatë një diskutimi në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA) Rama pretendoi se çështja mjedisore ishte përdorur si një mënyrë për të shprehur kundërshtinë ndaj Trump për shkak të përfshirjes së dhëndrit të tij Jared Kushner në projektin e investimit në Zvërnec.

M.K.
Rama nga Dublini për protestën e flamingove: Urrejtje ndaj Trump,
edi rama

DUBLIN- Kryeministri I vendit Edi Rama ka komentuar nga Dublini protestën e zhvilluar në Tiranë kundër projektit turistik në Zvërnec të njohur si 'revolucioni i flamingove' duke e lidhur kundërshtimin ndaj investimit me reagimet dhe urrejtjen ndaj presidentit amerikan Donald Trump.

Rama pretendoi se çështja mjedisore ishte përdorur si një mënyrë për të shprehur kundërshtinë ndaj Trump për shkak të përfshirjes së dhëndrit të tij Jared Kushner në projektin e investimit në Zvërnec.

Kreu i qeverisë bëri një krahasim historik me Jul Çezarin dhe betejën e tij kundër Pompeut në jug të Shqipërisë duke thënë se kundërshtarët e Trump kishin zgjedhur bulevardin e Tiranës për të zhvilluar betejën e tyre politike.

“Le të jemi të sinqertë, ky revolucioni i flamengove, që emrin e ka shumë tërheqës, është rezultat i një urrejtjeje shumë të madhe ndaj Donald Trump. Nëse hija e Donald Trump nuk do të ishte në sfond të kësaj çështje mjedisore, s’do kishit dëgjuar asgjë për flamingot. Të gjithë ata që urrenin Trump, gjetën bulevardin e Tiranës për ta bërë këtë betejë, njësoj si Çezari që gjeti jugun e Shqipërisë për të luftuar kundër Pompeut. Ka kaq shumë gënjeshtra. Jam i sigurt se po t’ju pyes tani, do të mendonit sikur Irlanda është privatizuar nga familja Trump”, tha Rama.

I pyetur për dobësimin e pozitave të Donald Trump në SHBA pas humbjeve të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, kryeministri u ndal te marrëdhënia me Jared Kushner dhe rrethanat në të cilat është diskutuar investimi në Zvërnec.

Rama deklaroi se takimi me dhëndrin e presidentit amerikan ishte zhvilluar në një kohë kur Trump nuk ishte ende president dhe e ardhmja e tij politike ishte e paqartë. Ai theksoi gjithashtu se nuk kishte ndërmend të ndërpriste marrëdhëniet e tij me miqtë e vjetër për shkak të zhvillimeve politike në SHBA.

“Irlandezët janë shumë të ngjashëm me shqiptarët kur bëhet fjalë për këtë. Ne nuk jemi francezë, por jemi kokfortë e të pasofistikuar. Mund edhe të krenohemi që nuk jemi kaq të sofistikuar, që t’i themi të vërtetat për ato interesat e përditshme. Kur u zgjodh Trump, më thanë që është shumë rrezik, sepse jam mik me Sorosin dhe të birin. Megjithatë unë nuk diskutoj as miqësinë e as besnikërinë me miq që i kam për kohë të gjatë, por ka edhe një të vërtetë tjetër që e kam thënë, që kur kam takuar Kushnerin dhe folëm për këtë projekt, e ardhmja e Trump nuk ishte kaq e qartë. Ai ishte një kandidat për të shkuar në burg. Unë pash një amerikan që donte të bënte diçka për vendin tim. Unë s’dua t’ja di se çpo ndodh me SHBA-të, sepse kur bëhet fjalë për këtë projekt, s’ka asgjë për të pasur frikë, por përkundrazi për t’u ndierë krenar. Nga faktet do të shihni se Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim të ndryshëm sesa kanë marrë asnjë trajtim të ndryshëm që ju është dhënë edhe investitorëve të tjerë lokalë e ndërkombëtarë. Vetëm 8 % e ishullit mund të ndërtohet. Sepse qeveria shqiptare ka kërkuar një projekt që të jetë emblemë në Europë” shtoi Rama./ZËRI

MOS HUMB