TIRANË-Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin, pjesë e takimit të nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve”. Rama u prit në Kancelarinë Federale nga kancelari gjerman Friedrich Merz, me ftesë të të cilit po zhvillohet samiti. Gjatë një prononcimi për median, kreu i qeverisë komentoi vendimin e marrë në Dublin për krijimin e grupit përfaqësues evropian që do të vazhdojë dialogun me Moskën. Sipas Ramës, vendimi duhet të ishte marrë më herët.
Edi Rama: Është një moment dhe një mundësi e mirë për t'u mbledhur këtu, në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh dhe asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Evropës në një komunikim të mundshëm me Rusinë. Thashë se është një gjë që duhej bërë dhe që më në fund ndodhi. Evropa vendosi të ketë një grup në vijën e parë që do ta përfaqësojë në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që kjo nuk u bë që në fillim. Në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre. Tani, shpresojmë, komunikimi ka rifilluar dhe mbetet të shohim se si do të shkojë.
Në samitin e Berlinit marrin pjesë edhe të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët pritet të zhvillojnë bisedime me zyrtarë ukrainas dhe përfaqësues evropianë në kuadër të përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.