
TIRANË- Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka pezulluar të gjitha marrëdhëniet juridike me KOKSH (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar). FSHF ka kërkuar mbështetjen e anëtarëve të saj dhe të gjithë kanë miratuar këtë kërkesë.
“Të japë pëlqim për pezullimin pa afat të të gjitha marrëdhënieve juridike me KOKSH, deri në momentin kur gjendja e ligjshmërisë të rikthehet, vendimi i CAS të Lozanës të zbatohet plotësisht dhe KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e saj dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes në sport. Të mbështesë Komitetin Ekzekutiv, Sekretariatin e FSHF-së në të gjitha përpjekjet juridike dhe publike për të vendosur gjendjen e ligjshmërisë brenda KOKSH dhe ndërprerjen e klimës arbitrare ku kjo organizatë zhvillon aktivitetin e saj',”-tha në mbledhje anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, Emvi Hicka.
KËRKESA E PLOTË E PREZANTUAR PARA FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit është në një konflikt juridik me KOKSH (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar). Konflikt që rrjedh pasi FSHF është e detyruar të jetë anëtare e kësaj organizate për shkak të ligjit dhe si operon KOKSH. Ne kemi zgjedhur rrugën juridike, prej vitit 2021 kur u bënë disa Asamble të KOKSH, që në gjykimin tonë u mbajtën në mënyrë arbitrare dhe jo demokratike, duke mos garantuar përfaqësimin e denjë të anëtarëve.
Një nga përballjet juridike përfundoi në CAS në Lozanë, arbitrazhi i njohur ndërkombëtarisht. Ne fituam në CAS dhe presim prej një viti e gjysmë që vendimi të gjejë zbatim, për të anuluar vendimarrjet e Asamblesë së KOKSH në 2021. Në kushte normale KOKSH duhet të zbatonte këtë vendim të CAS. Jemi hasur me një rezistencë mjedisore, juridike dhe institucionale; dhe një injorimi i CAS-it të Lozanës.
Kjo nuk është bërë vetëm për veprimtarinë e KOKSH, por duke gjetur edhe mbështetje që nuk i bën nder një shoqërie demokratike, i ndikuar edhe nga institucionet shtetërore, më vjen keq ta them.
Në kushtet kur vijojmë të kemi një mjedis jo demokratik sportiv, jo institucional, jemi të detyruar t'i kërkojmë Asamblesë së Përgjithshme mbështetje dhe i kemi propozuar këtë vendimarrje.
'1. Të japë pëlqim për pezullimin pa afat të të gjitha marrëdhënieve juridike me KOKSH, deri në momentin kur gjendja e ligjshmërisë të rikthehet, vendimi i CAS të Lozanës të zbatohet plotësisht dhe KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e saj dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes në sport.
2. Të mbështesë Komitetin Ekzekutiv, Sekretariatin e FSHF-së në të gjitha përpjekjet juridike dhe publike për të vendosur gjendjen e ligjshmërisë brenda KOKSH dhe ndërprerjen e klimës arbitrare ku kjo organizatë zhvillon aktivitetin e saj'", thuhet në kërkesën e miratuar të FSHF-së dhe që u shpjeguan nga avokati Envi Hicka, njëherazi anëtar i Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni.
Mosmarrëveshja ka ndodhur sepse FSHF kërkon që vendimi i CAS në Lozanë të zbatohet. Bëhet fjalë për një vendim që e shpallte të pavlefshme Asamblenë e KOKSH në 2021, nga e cila, president u zgjodh Fidel Ylli. Federata Shqiptare e Futbollit dërgoi në gjyq çështjen e zgjedhjeve të 2021 në KOKSH, ku u zgjodh president Fidel Ylli. Gjithçka përfundoi në Court of Arbitration for Sport e Lozanës, ku CAS i dha të drejtë Federatës Shqiptare të Futbollit./ZËRI