
ZVICËR- Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) ka vendosur në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke përmbysur vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH) të mbajtur më 10 janar 2021. Ka qenë Federata Shqiptare e Futbollit, ajo e cila konfliktet dhe mosmarrëveshjet me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar e ka çuar për t’u gjykuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv me seli në Lozanë të Zvicrës.
Pikat e vendimit:
1. Vendimet e Asamblesë së KOKSH shpallen të pavlefshme: CAS ka shpallur të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH e cila kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.
2. Parregullsi Procedurale: CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare.
3. Mbrojtja e të drejtave të FSHF-së: Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS ka vendosur në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.
4. Rimbursim Financiar: KOKSH është urdhëruar të paguajë 4,000 CHF për shpenzimet ligjore të FSHF-së dhe të mbulojë 90% të kostove të arbitrazhit, duke reflektuar rëndësinë e shkeljeve procedurale.
FSHF është e kënaqur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për Sport, i cili korrigjon problemet thelbësore të anëtarësisë së KOKSH. Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së integritetit dhe drejtësisë në qeverisjen e sportit në Shqipëri si dhe thekson faktin se si pasojë e tij, të gjitha asambletë e KOKSH të zhvilluara pas datës 10 janar 2021, perfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv aktual janë absolutisht të pavlefshme.
Më 10 janar të 2021 u zhvillua në kushte të jashtëzakonshme Asambleja e KOKSH e cila me 45 vota pro dhe 9 kundër vendosi që Viron Bezhani mos ishte më presidenti i KOKSH. Ndërkohë për ngjarjen nuk janë lajmëruar as mediat, ndërsa ka qenë kundër rregullave të pandemisë (COVID-19 asokohe). Kjo pasi asambleja është zhvilluar në një ambient të mbyllur me mbi 60 persona. Asokohe Bezhani ka deklaruar se çështjen do ta çoj në prokurori, pasi pretendon se politika po ndërhyn në mënyrë vendimtare në KOKSH. Veç saj ato javë përflitej se presidenti i ardhshëm i KOKSH do të ishte Fidel Ylli, gjë që ndodhi dhe prej asaj kohe Ylli vijon të jetë në krye të KOKSH.