
BRAZIL – Një tjetër zhvillim negativ për legjendën e Brazilit, Ronaldino. Agjencia e të ardhurave të shtetit të Rio Grande Do Sul ka urdhëruar sekuestrimin e dy pronave të tij të patundshme, që ndodhen në shtetin brazilian.
Sipas agjencisë, Ronaldinho nuk ka shlyer borxhet përmes llogarive të tij bankare, të cilat rezultuan të zbrazëta. Pas tërheqjes nga futbolli, ku ishte ndër më të mirët e sportit magjik, Ronaldinho ka pasur telashe dhe në të kaluarën.
Në vitin 2018, pasaporta e tij u konfiskua nga autoritetet braziliane, në përpjekje për të rikuperuar paratë e kërkuara, për shkak të gjobës për ndërtim të paligjshëm. Një muaj më pas, futbollistit të njohur në mbarë botën, iu sekuestruan vepra arti dhe makina lukzose, pasi nuk kishte shlyer borxhet.
Ndërsa, në vitin 2020, ai kaloi 1 muaj në paraburgim së bashku me të vëllanë Roberto de Assis, në Paraguay. Kjo, pasi kishte kaluar në këtë vend, me pasaportë false. Ronaldinjo është lojtari i vetëm në botë që ka fituar një Kupë Bote, një Kupë Amerikane, një Kupë të Konfederatave, një Ligë të Kampionëve, një Copa Libertadores dhe një Top të Artë./Zëri.ai/