
TIRANË - Shqipëria ia doli të kualifikohet në Euro 2024, duke mos pasur kontributin e Armando Brojës, i cili është dëmtuar dhe qëndroi jashtë fushave të blerta. Tashmë ka një dilemë nëse Armando Broja do të jetë titullar në ndeshjet e Kampionatit Europian në Gjermani apo jo.
Një pyetje e tillë i është bërë edhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë që ka dhënë ditën e sotme për RTSH. Duka ka qenë i qartë, kur tha se trajneri Sylvinho duhet ta aktivizojë Brojën, në rast se ai është i gatshëm të luajë, sepse ekipi ynë kombëtar nuk ka luksin të shpërdorojë talente.
“Broja është një talent që nuk vjen shpesh në Shqipëri. Ne nuk e kemi luksin që ta shpërdorojmë një talent të tillë, ai është vërtetë një talent. Kontributi i tij ka munguar, fatkeqësisht për shkak të dëmtimit. Ne tashmë do shkojmë në Europian. Broja në radhë të parë ka sfidën me veten e tij, ka sfidën me shëndetin, të jetë sa më mire së pari dhe e dyta duhet që të bashkohet me frymën e grupit. Kam besim se një talent e një profesionist e gjen mënyrën sesi të gërshëtohet me ambientin e skuadrës. E ripërsëris, që nuk kemi luksin të shpërdorojmë një talent si Broja, me të bëjmë më mirë”, tha Duka.
Vetë Armando Broja, përpara dy ditësh deklaroi se raportet e tij me trajnerin Sylvinho janë tepër të mira dhe uron që shërohet së pari, që të mund të japë kontributin e tij në Kombëtare. /Zëri.ai/