
ÇEKI- Kristjan Asllani është bërë një lojtar kyç në formacionin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, duke qënë iniciatori i shumicës së aksioneve, ndërsa ka detyrën e vështirë të vendosjes së ekuilibrit mes sulmit dhe mbrojtjes. Këtë e tregoi dhe në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme përballë Ukrainës, ku pati edhe një mundësi për të shënuar. Për vetë lojtarin kuqezi, më shumë se shënimi i golit personal, rëndësi ka fitorja e të gjithë ekipit.
“Kjo është një fitore jashtë shtëpisë, ndaj një ekipi që luan shumë mirë futboll. Kishim shumë kohë pa një fitore. Jemi të lumtur, por të shohim përpara, sepse kemi një ndeshje të vështirë të martën me Gjeorgjinë.
Sidoqoftë, na ndihmon shumë kjo fitore, sepse ishte ndeshja e parë. Kur e nis mirë, je një hap para. E dinim që ishte e vështirë ndaj Ukrainës, por provuam të bënim futbollin tonë. Mund të bënim më shumë me topin, por morëm tri pikët dhe kjo i mbulon të gjitha të tjerat. Jemi shumë të lumtur, edhe në dhomën e zhveshjes e menduam faktin se që me Çekinë pa fitore. Na duhej ky triumf dhe jemi të lumtur”, u shpreh Asllani, ndërkohë që ka sqaruar edhe një grindje që pati në fushën e lojës me Rey Manajn.
Shkak u bë goditja e dënimit, të cilën Manaj kërkoi me çdo kusht që ta godiste, pasi e kishte fituar vetë, shumë pranë zonës ukrainase. Por kjo duket se nuk i pëlqeu Asllanit, i cili shënon shumicën e goditjeve standarde në ekipin kombëtar. Megjithatë gjithçka duket se ka mbetur në fushën e lojës, dhe Asllani e Manaj vijojnë që të mbeten miq.
“Jam shumë shok me Rein, u mërzita në fushë, por mbetet aty. U mërzita se goditja e dënimit më pëlqen shumë, jam stërvitur që i vogël për to. Edhe ai ka një këmbë të mirë, reagova pak keq, sepse u mërzita. Mungonin pak minuta, por asnjë problem me Rein, jemi shumë shokë. U tallëm pastaj, nuk ka problem, po goditjen tjetër të dënimit do ta gjuaj unë”, vijoi Asllani./ZËRI