
GJERMANI-Portieri Vanja Milinkoviç-Saviç u bë protagonist i një episodi vërtet të bujshëm gjatë Euro 2024 te Serbia. Gardiani i Torinos, i cili nuk luajti asnjë minutë, është përfshirë në një sherr në një pub në Mynih ditën e pushimit para ndeshjes vendimtare kundër Danimarkës.
Trajneri Dragan Stojkoviç u dha një ditë pushim lojtarëve të tij. Siç bën me dije Telegrafi serb, portieri ka qenë në një lokal nate ku rrinë zakonisht persona nga komuniteti serb dhe ku luhet muzikë e tillë. Siç mësohet, një tifoz e ka njohur portierin dhe i ka kërkuar llogari se përse nuk ishte në grumbullim para ndeshjes. Vanjës nuk i pëlqeu diçka e tillë dhe pasi e ka ofenduar tifozin, e ka goditur edhe me grusht.
Por në një version tjetër të treguar nga pronari i lokalit, thuhet se, Vanja ishte me pantallonat e shkurtra të ekipit serb dhe punonjësit e sigurimit e kanë penguar të hyjë, duke mos ditur se kush është. Ky “diskriminim” për shkak të veshjes e shqetësoi portierin dhe aty ndodhi sherri. Pronari, i cili e njihte Vanjën, i zgjidhi vetë gjërat dhe e ftoi të hynte në bar, por serbi nuk pranoi./ZËRI