
GJERMANI- Yjet e skuadrës gjermane kanë një "hall" të madh në kampin e tyre. Ata po luftojnë me një 'murtajë mushkonjash' në kampin e tyre stërvitor të Euro 2024, e cila është e vendosur në një pyll në Herzogenaurah. Më shumë detaje ka zbuluar edhe vetë trajneri i ekipit, Julian Nagelsmann, i cili u shpreh se mushkonjat po i pengojnë që të stërviten.
“Duhet të sigurohemi që të ketë pak erë, në mënyrë që të mos ketë kaq shumë mushkonja. Nëse jo, futemi brenda,"-tha ai për mediat e huaja. Edhe portieri Manuel Neuer gjithashtu konfirmoi praninë e mushkonjave, duke shtuar: Duhet të sigurohemi që rrjetat mbrojtëse kundër mushkonjave të jenë gjithmonë të mbyllura.
E gjitha vjen për shkak se qendra e ekipit dhe njësitë e banimit janë të ndërtuara duke përdorur dru tradicional bavarez, i cili me sa duket është i pëlqyer nga insektet. Sipas “BILD”, Federata Gjermane u përpoq të zgjidhte problemin duke përdorur solucione kundër mushkonjave dhe tym kakaoje që mendohet se largon këto insekte.
Por kjo ka bërë që në qendrën stërvitore tani të nuhatet një erë shumë e rëndë e keqe që shkaktohet nga këto përzierje solucionesh, duke bërë edhe më të vështirë qëndrimin jashtë të futbollistëve./ZËRI