
TIRANË- Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj, ka folur për formën jo të mirë që pati në këtë kampionat europian, që u bë shkak për një fushatë sulmesh në drejtim të tij. Të gjithë atë që ndodhi kryesisht në rrjetet sociale, Hysaj e cilësoi si diçka përtej futbollit, pasi në veprimin e tij në ndeshjen me Italinë nuk kishte pasur asgjë të vullnetshme. I ftuar në emisionin “Kampionët”, Hysaj ka treguar me detaje emocionet dhe gjithçka që shkaktoi gjithë ai reagim i tifozerisë shqiptare kundrejt tij.
Elseid Hysaj: Për mua kampionati ishte vërtetë i çuditshëm dhe shumë i bukur. Më vjen keq që e mbyllëm pa një fitore sepse e meritonim. Jam i kënaqur, çunat ishin të kënaqur. Na ra një grup shumë i fortë. Të gjithë kishim besim se mund të kalonin, se mund të ndodhte një mrekulli.
Si më ndodhi me mua, mund të ndodhi me dikë tjetër. Unë jam i qetë me të vërtetë. Në karrierën time kam kaluar momente të këqija dhe shumë të bukura. Unë kam arritur ngadalë çdo shkallë, jam lodhur për të arritur ku kam arritur dhe nuk besoj se një episod që mund të ndodhë… Kaloi përtej futbollit. Kritikat të gjithë i kemi pranuar. Doli jashtë futbollit. U ekzagjerua pak si shumë.
Unë direkt kam kthyer kokën, kur pashë që topi po hynte në rrjetë, direkt kam menduar se do të thonë njerëzit se ky u shmang. Po provoja që të ikja. Isha pak si i ulur, është një instinkt. Është një sekondë, është instinkt sepse pashë topin në moment të fundit dhe ula kokën. Nuk mundet që një episod i tillë që ndodh shumë shpesh në futboll…
Kanë kaluar tepër futbollit, janë marrë me flokët e mia dhe me paraqitjen time. Unë kam djalin 8 vjeç. Sikur një fëmijë i im të ishte në rrjetet sociale, nuk do të ishte bukur. Unë nuk e kam problem. Unë vij për shtetin tim këtu. Më vjen keq që njerëzit mendojnë se vij në Kombëtare për të kaluar ditën. Reagova për shkak të familjes. Ata janë të parët që më kanë mbështetur, babai im, djali dhe gruaja. E shikoja që kur flisja në telefon me prindërit e mi dhe më pyesin si je ti.
Ndër të tjera ai ka treguar edhe atë se çfarë i tha Sylvinho në momentin që është vënë në dijeni të të gjithë reagimit të tifozerisë shqiptare kundrejt tij. Hysaj u shpreh se trajneri e ka pyetur se si ndihet dhe a është i gatshëm për ndeshjen me Kroacinë.
Hysaj ka treguar edhe se me cilin nga pjesëtarët e ekipit ka më shumë shoqëri, ku mes tyre ka veçuar portierin Etrit Berisha. Futbollisti gjithashtu ndau në “Kampionët” edhe momentin më emocionues që e shtyu të lej pas edhe të gjithë atë reagimin në rrjetet sociale.
Momenti të nesërmen me shokët si ishte atmosfera? Kush prej tyre të nejti më afër?
Elseid Hysaj: Gjithë i kam si të afërm, por unë kam veç një shok që është Berisha që jemi tani e sa vite bashkë dhe nuk ndahemi.
Çfarë të tha Berisha dhe çfarë të tha Sylvinho pikërisht për këtë jehonë?
Hysaj: Berisha është një mendje me mua. Edhe unë nuk e kisha problem se thash është një gobim që ju ndodh të gjithëve. Edhe Sylvinho erdhi më pyeti pas dy ditësh se nuk e kishte kuptuar as ai dhe i kishin thënë që është bërë shumë e madhe puna e Hysajt. Më tha hajde një sekondë e më thotë a ke probleme, a je mirë për ndeshjen me Kroacinë. Unë i thash jam mirë dhe mos mendo se çfarë janë nëpër rrjete më ndikojnë me të vërtetë se edhe instagramin e hapa edhe për të treguar që nuk e kam problem atë punën e komenteve. Mua më ka mjaftuar kur kam hyrë në stadium dhe kam dëgjuar emrin tim nga tifozët. Ata janë tifozat e mi. Tifozat pas telefonave nuk janë tifoza ata janë thjesht kalimtarë të kohës sepse tifozi i vërtetë vjen atje të mbështet.
Për shumë pak ditë erdhi ndeshja me Kroacinë dhe ti e nise si titullarë dhe duhet të ishe shumë i fortë për ta përballuar sepse qoftë edhe gabimin më të vogël po të kishe bërë ajo do të ishte bumerang edhe më i madh. Më trego pak kjo e tregon forcën tënde të madhe. Si u ndjeve ti para ndeshjes dhe gjatë ndeshjes?
Elseid Hysaj: Tani të them që nuk kisha emocion apo ai tundimi që po të gaboj do të vihem në shenjestër, e kisha. Brenda vetes… unë iu thoja prindërve s’kam problem, por brenda vetes unë e dija që po të gaboja do të rikthehej përsëri e njejta gjë. Do të duhej prap kohë me u marr me njerëzit.
Më trego emocionin më të fortë që ke përjetuar?
Elseid Hysaj: Emocioni më i fortë kur çunat ishin duke bërë ecjen dhe vjen brenda Rey Manaj dhe më thotë që të gjithë po bërtasin Hysaj. Me kaq që fole unë e vesha xhupin e Kombëtares dola në nxemje dhe isha aq i karikuar dhe thash “sot o do bëj mirë, o do bëj mirë”, s’kisha ku të shkoja dhe ajo ishte besoj ajo goditja që mua më tha që të tregoj veten me të vërtetë sepse nuk mund të më ikin mua 10 vite dhe të gjitha këto ndeshje për një gabim që është gabim normal. Nuk kishte sens që edhe unë t’i jepja shumë rëndësi. /ZËRI