
SPANJË – Autoritetet spanjolle kanë raportuar se një burrë 50-vjeçar lituanez, që jetonte në Spanjë, bënte sikur pësonte atak kardiak, në restorante të shtrenjta, për të shmangur pagesën e faturës.
Burri, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestua muajin e kaluar në Alicante, pasi u përpoq të largohej nga një restorant pa shlyer faturën. Policia spanjolle tha se lituanezi shtirej sikur nuk ishte mirë me shëndet.
Brenda vitit, 50-vjeçari ishte shtirur 20 herë sikur pësonte atak në zemër. Duke aktruar kaq shumë herë, burri kishte rënë në sy të policisë. Në incidentin e fundit, ai aktroi, që të mos paguante 35 dollarë. Menaxheri i restorantit, Moisés Doménech, i tha mediave spanjolle se një koleg vuri re sjelljen e çuditshme të 50-vjeçarit.
Burri pretendoi se po shkonte në dhomën e tij të hotelit për të marrë para, por stafi i restorantit refuzoi ta linte të largohej, pa paguar. Sipas agjencisë së lajmeve, burri pas kësaj u hodh në mënyrë dramatike në tokë dhe bëri sikur pësoi një atak në zemër. Stafi i restorantit nuk ra pre e mashtrimit dhe thirri policinë dhe oficerët e njohën burrin menjëherë.
Zëdhënësi i Policisë Kombëtare të Alicante konfirmoi se i dyshuari ishte një shkelës i përsëritur i ligjit: "Ai u arrestua disa herë në qytetin e Alicante. Mënyra e veprimit ishte e njëjtë," tha zëdhënësi.
Burri u dërgua në burg. Ai nuk dha adresë se ku banonte. 50-vjeçari dukej se nuk e kishte problem të kalonte 1-2 ditë pas hekurave, vetëm mos të paguante! I dyshuari u lirua më vonë, sepse faturat e papaguara kishin vlera të vogla./Zëri.ai/