SHBA- Burt Young, aktori që u nominua për Oscar, falë performancës së tij në filmin Rocky, në rolin si krahu i djathtë i Sylvester Stallone, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare. Sipas The New York Times, vdekja e aktorit u konfirmua të mërkurën nga vajza e tij, Anne Morea Steingieser.
“Unë isha i vetmi aktor që nuk bëri audicion për filmin Rocky, dhe paguhesha kaq shumë”, tha Young për The Rumpus në vitin 2017.
Young njihet gjithashtu për rolet në filma dhe seriale si : “Chinatown”, “Once upon a time in America” dhe “The Sopranos”.
Bashkangjitur me një foto nga seti i filmit të parë Rocky, Sylvester Stallone shkroi disa fjalë për mikun e tij në film dhe jetën reale: Mikut tim më të mirë, BURT YOUNG-ut, ti ishe një njeri dhe artist i mrekullueshëm. Do më mungosh shumë, mua dhe gjithë botës…U prehsh në paqe!
“Rocky” u nominua për 10 Oscars, përfshire ‘ Best supporting actor’ për Burt. Filmi fitoi 3 Oscars, përfshirë ‘Best Picture’.
Burt Young u lind dhe u rrit në Queens, New York. Ai shërbeu në Trupat Detare, ishte një boksier profesionist dhe punoi si shtrues tapetesh, para se të fillonte karrierën si aktor. Në skenë, filma dhe seriale ka luajtur kryesisht role ‘të egra’ ose role të një burri të klasës punëtore./Zëri.ai