
PARIS- MTV Europe Music Awards 2023 në Paris është anuluar, në mes të konfliktit të vazhdueshëm midis Gazës dhe Izraelit.
Në këtë event, ishte planifikuar të këndonin më 5 nëntor Reneé Rapp, Sabrina Carpenter, David Guetta, Kid Laroi dhe Jung Kook nga grupi K-pop BTS, etj. Taylor Suift ishte artistja më e nominuar për të marrë çmimin e madh, me shtatë nominime, e ndjekur nga Olivia Rodrigo dhe SZA me nga gjashtë nominime secila. Doja Cat, Maneskin, Miley Cyrus dhe Nicki Minaj kishin katër nominime.
Në një deklaratë, organizatorët thanë se vendimi për të anuluar shfaqjen, erdhi për shkak të pasigurive që ka krijuar situata e trazuar në Lindjen e Mesme. MTV pritet të mbahet në vitin 2024.
Shfaqja ishte planifikuar të transmetohej drejtpërdrejt në MTV në më shumë se 150 vende dhe të transmetohej në Pluto TV në mbarë globin, sipas kërkesës së Paramount+. Eventi do të mbahej në Paris Nord Villepinte.
“Duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e ngjarjeve botërore, ne kemi vendosur të mos shfaqim MTV EMA 2023, për shkak të kujdesit që duam të tregojmë për mijëra punonjës, artistë, fansa dhe partnerë që udhëtojnë nga të gjitha cepat e botës për të sjellë shfaqjen e mrekullueshme”, tha një zëdhënës i Paramount, i cili zotëron MTV-në.
MTV EMA është një festë vjetore e muzikës globale. Zëdhënësi deklaroi se ndërsa shikojmë ngjarjet e rënda në Izrael dhe Gaza, ky nuk duket si një moment për një festë globale. Ai shtoi se me mijëra njerëz kanë humbur jetën dhe për botën është moment zie.
Franca po përballet me frikën për sulme terroriste, pasi një mësues u vra nga një çeçen 20-vjeçar. Në shumë aeroporte të shtetit francez, janë dhënë alarme për bomba. Në Belgjikë, një person që pretendoi se mbështet ISIS-in, vrau dy tifozë./Zëri.ai/