Qytetërim

Shakira kërkon marrëveshje të re me Piquén: Të udhëtojë ai drejt Miamit

Në qendër të kërkesës së këngëtares është mënyra e organizimit të udhëtimeve gjatë periudhave të shkurtra të pushimeve.

M.K.
Shakira kërkon marrëveshje të re me Piquén: Të
Shakira dhe Gerard Piqué

BARCELONË- Shakira dhe ish-futbollisti Gerard Piqué janë paraqitur sërish në një gjykatë në Barcelonë, ku po shqyrtohet mënyra se si do të organizohen takimet e tij me dy djemtë e tyre Milan dhe Sasha.

Seanca lidhet me rishikimin e marrëveshjes që dyshja arriti pas ndarjes në vitin 2022. Milani 13 vjeç dhe Sasha 11 vjeç jetojnë me Shakirën në Miami që prej prillit të vitit 2023.

Në qendër të kërkesës së këngëtares është mënyra e organizimit të udhëtimeve gjatë periudhave të shkurtra të pushimeve. Shakira kërkon që udhëtimet të ndahen mes dy prindërve duke propozuar që në këto raste Piqué të udhëtojë drejt Miamit.

Sipas saj, kjo do të shmangte udhëtimet e gjata që djemtë duhet të bëjnë drejt Barcelonës për periudha të shkurtra dhe do t’i ndihmonte ata të ruanin më mirë rutinën shkollore, jetën sociale dhe lidhjet familjare.

Këngëtarja ka kërkuar gjithashtu që të merret në konsideratë privatësia e dy fëmijëve.

Shakira udhëtoi drejt Barcelonës gjatë një periudhe pushimi nga koncertet e saj në Madrid. Edhe Piqué u paraqit në seancë, ndërsa avokati i tij, Ramón Tamborero, deklaroi se negociatat mes palëve kishin vijuar deri në momentet e fundit.

Sipas raportimeve, edhe gjyqtarja dhe prokuroria kishin ndërhyrë në përpjekje për të ndihmuar palët që të arrinin një marrëveshje dhe të shmangnin seancën gjyqësore.

Shakira dhe Piqué u njohën pak para Botërorit të vitit 2010 në Afrikën e Jugut. Në janar të vitit 2013 lindi djali i tyre i parë, Milan, ndërsa dy vite më vonë erdhi në jetë Sasha. Të dy fëmijët kanë lindur në Barcelonë.

Çifti njoftoi ndarjen në qershor të vitit 2022 pas më shumë se 12 vitesh së bashku. Në nëntor të po atij viti ata arritën një marrëveshje sipas së cilës fëmijët do të jetonin me Shakirën ndërsa Piqué do të kishte mundësi të kalonte kohë me ta.

Në prill 2023, Shakira u largua nga Barcelona së bashku me dy djemtë dhe u vendos në Miami. Tashmë çështja e mënyrës së organizimit të takimeve të Piqués me fëmijët është rikthyer përpara drejtësisë spanjolle./ZËRI

Poll

MOS HUMB