Qytetërim

Jeta e Margarita Xhepës, si u rrit pa prindër ikona e kinematografisë shqiptare, dashuria me Xhavitin dhe fëmijët

Margarita Xhepa u lind më 2 prill në vitin 1934. Ajo mbeti jetime në moshën 9-vjeçare pasi e ëma ndërroi jetë. Margaritën, bashkë me dy motrat e saj dhe të vëllanë, i rriti halla, pasi edhe i ati ndërroi jetë pak vite më vonë.

F.m
Jeta e Margarita Xhepës, si u rrit pa prindër ikona e
Margarita Xhepa

TIRANË- Një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar që ka skalitur memorien e publikur shqiptare me role brilante që prej fillimit të saj, ndërroi jetë sot, një ditë pasi festoi ditëlindjen e saj të 91-të.

Margarita Xhepa u lind më 2 prill në vitin 1934. Ajo mbeti jetime në moshën 9-vjeçare pasi e ëma ndërroi jetë. Margaritën, bashkë me dy motrat e saj dhe të vëllanë, i rriti halla, pasi edhe i ati ndërroi jetë pak vite më vonë. Vetë aktorja tregonte se si nisi kjo përkujdesje pas një aksidenti që pësoi kur ishte fëmijë.

“Mua më ka lënë nëna në moshën që kisha shumë nevojë për të. Isha vetëm 9 vjeç. E mbaj mend shumë mirë fytyrën e saj engjëllore. Është e çuditshme! Njeriu kur humbet një dashuri, kërkon një tjetër. Ngjitur me shtëpinë time, aty pranë, kisha hallën. E kishte emrin Naunka. Ishte martuar me një beratas të mrekullueshëm. Ne kishim ngelur katër jetimë, tre motra e një vëlla. Në një prej ditëve, kur punoja pranë shtëpisë, më bie një gjë e rëndë në kokë. Bërtita. Burri i hallës e dëgjoi dhe i thirri sa ç’kishte në kokë: “Pa shiko moj grua çfarë i ka ndodhur asaj çupe!” Dhe erdhën menjëherë. Aty, në sytë tanë i tha prerë të shoqes, hallës tonë: “Sot e tutje do të kujdesesh për këta katër jetimë ashtu si për tanët!” Edhe ai kishte jo pak, por pesë fëmijë,”- rrëfente artistja.

Në vitin 1950, Margarita Xhepa u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës.

Ajo ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek filmi "Majlinda" (Xh. Broja), Dafina tek Lumi i vdekur (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek Cuca e maleve (Loni Papa), Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna tek Përballë vetes (Ruzhdi Pulaha) etj.

Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron Vitet e para dhe Gjurmët, me I. Muçajn e K. Mitron Dimri i fundit, Tokë e përgjakur, Një djalë edhe një vajzë dhe Apasionata, me Viktor Gjikën, Gjeneral gramafoni, me E. Musliun,Rrethi i kujtesës dhe Vitet e pritjes (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, Dora e ngrohtë, me Dhimitër Anagnostin, Gurët e shtëpisë sime, me P. Milkanin, Pranvera s'erdhi vetëm, me S. Kumbaron, Koncert në vitin 1936, me Gj. Xhuvanian E diela e fundit dhe I dashur armik.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek "Mirupafshim" (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Në maj të vitit 2004, u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar për të shkëlqyer në dramën "Streha e të harruarve", një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare.

Në jetën e Margarita Xhepës, figurës legjendare të kinematografisë shqiptare, ka ekzistuar një dashuri e madhe: Xhaviti. Ai gjithashtu aktor, por në Teatrin e Kukullave e megjithatë ishte arti ai që i bashkoi zemrat e tyre.

Në intervistën “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, Margarita Xhepa tregonte se profesioni i përbashkët ndikonte në mirëkuptimin mes tyre. Pavarësisht roleve, kontakteve me njerëz të tjerë, asnjëri nuk bëhej xheloz për tjetrin sepse e dinin që dashuria e vërtetë ishte ndryshe, pikërisht ajo që mbanin në zemrat e tyre.

Kur aktorja ishte 52 vjeçe, Xhaviti u nda nga kjo botë dhe kjo e bëri Margarita Xhepën t’i përkushtohej plotësisht tre djemve, krenarisë së tyre më të madhe. Një prej tyre është Ndriçim Xhepa, që është shquar gjithashtu për rolet e tij të spikatura si aktor i Teatrit Kombëtar dhe për personazhet e luajtura mjeshtërisht në mbi 30 filma, duke u kthyer në një nga aktorët më të preferuar të publikut dhe regjisorëve.

Në një intervistë për programin Exclusive në Top Channel, ajo rrëfeu prapaskenat e filmit “Dimri i Fundit” dhe tha se vendosi të mos shkonte sepse kishte dy djemtë të vegjël, por ishte bashkëshorti që insistoi që ajo ta merrte rolin e propozuar.

“Kur e kam marrë atë skenar më pëlqeu sepse kishte pak fjalë dhe shumë veprime. Por vendosa të mos shkoja, djemtë i kisha të vegjël, do t’i lija dy muaj se kemi ndenjur dy muaj në Dardhë të Korçës, kush do t’u shërbente. Im shoq do shkosh tha, e pashë që ky roli të pëlqeu, më pëlqeu i thashë, por djemtë, ju çfarë do të bëni në këtë dimër të ftohtë janar, shkurt, unë nuk e lija edhe në radhë të qumështit, se ishte me tension të lartë, e ruaja, edhe regjisorët i bënë një lutje. I kam thënë Margaritës të shkojë, u tha ai. Dhe shkova,”- rrëfeu Margarita Xhepa.

Xhepës i janë akorduar gjithashtu edhe titujt “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, dhe Urdhri i Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Poll

MOS HUMB