
SHBA- Me rikthimin e Lionel Messit në fushë për Inter Majemin, pasi u rikuperua nga dëmtimi i fundit muskulor, tifozët e Los Angeles FC e ngacmuan yllin argjentinas duke shpalosur një flamur me mbishkrimin "Pessi" në tribunat e stadiumit BMO. BMO ishte mbushur plot e përplotë gjatë ndeshjes së parë çerekfinale të CONCACAF Champions Cup 2024-25. Los Anxhelesi e fitoi këtë ndeshje të parë 1 me 0 kundër Inter Majemit, me gol të Ordazit në minutën e pesëdhjetë e shtatë.

Termi "Pessi" përdoret shpesh nga tifozët për të ironizuar Mesin për rekordin e tij jo të mirë në goditjet e penalltive. Ky pseudonim u krijua fillimisht nga tifozët e Real Madridit, gjatë viteve të rivalitetit të ashpër Mesi-Ronaldo, si një kundërpërgjigje ndaj tifozëve të Barcelonës, të cilët e tallnin Cristiano Ronaldon me nofkën "Penaldo", për varësinë e tij nga penalltitë për të shënuar gola.
Ndërkohë, Mesi ka shënuar 109 gola nga penalltitë në karrierën e tij, në 140 penallti që ka marrë përsipër. Ronaldoja ka shifra shumë më të mira: ka marrë përsipër 205 penallti dhe ka shënuar 173 prej tyre. 84.4% është realizueshmëria e Ronaldos nga penalltitë, 77.9% është ajo e Mesit, që së fundmi e ka parakaluar Ronaldon në numrin e golave të shënuar nga goditjet e dënimit: 66 me 64./ZËRI